Nga Alfred Peza
Një nga tezat që po qarkullon më shumë këto ditë, në lidhje me fenomenin e krijimit të partive të reja politike nga e djathta, është se ato po nxiten për këtë nga qeveria. Nga mazhoranca. Nga PS. Madje, nga vetë Kryeministri Edi Rama. E thënë kështu nga propoganda opozitare, si një përpjekje e sforcuar për të mbuluar dështimin e saj e për ti dëmtuar që në gjenezë, kjo është teza më qesharake që mund të sajohej për këtë rast.
E para, sepse pas 8 vitesh qeverisje asnjëherë më parë në Shqipëri, një parti politike në pushtet nuk ia ka dalë që ta bëjë këtë edhe kur ka dashur. Për një arsye fare të thjeshtë: Sepse opozitarët pas dy mandatesh, janë mprehur të gjithë që të rikthehen në pushtet, pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Ndaj, askush nuk është aq budalla në këtë vend, sa të shkojë me humbësin, që sipas opozitarëve i bie të jetë PS dhe Edi Rama.
E dyta, e kundërta e kësaj teze është e vërtetë. Edhe përpara zgjedhjeve të vitit 1992, edhe përpara atyre të vitit 2005, ka qenë opozita ajo që nxiti përçarjen e PS në pushtet përmes krijimit të partive të reja politike në vend. Rasti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, e krijuar vetëm një vit përpara zgjedhjeve të përpara 15 viteve, kur Sali Berisha u rikthye për herë të dytë në pushtet, është vërtetim i kësaj teze.
E treta, Edi Ramës i dalin dhe i teprojnë meritat e tij politike. Ndaj, nuk ka nevojë që ti vishni meritën për ta bërë edhe vajzën e Azem Hadjarit, edhe ish studentin e dhjetorit ’90 Myslym Murrizi, edhe ish Nr. 2 të Partisë Demokratike Astrit Patozi, edhe ish Kryetaren për 8 vjet të Parlamentit të Sali Berishës, Jozefina Topalli me Partinë Socialiste. Këtë nuk e beson as Lulzim Basha vetë, e jo më ta besojë ndonjë opozitar tjetër, që i ka dy pare mend në kokë.
Dhe e fundit, për aq kohë sa Partia Demokratike në veçanti dhe opozitarët tanë në përgjithësi, nuk e shohin problemin me krijimin e partive të reja brenda vetes, kjo është një ndihmë e jashtëzakonshme që ato po i japin mazhorancës socialiste drejt arritjes së objektivit të saj elektoral; fitoren e mandatit të tretë qeverisës. Sepse, edhe kur je duke u shkërmoqur, ta shohësh fajin tënd të pasqyruar vetëm tek kundërshtari pa e kthyer asnjëherë kokën nga vetja, është kurthi që gjithmonë humbësit i kanë ngritur historikisht vetes.
Ndaj, boll me teza qesharake si këto për krijimin e partive të reja politike prej radhëve të PD, nga PS. Sepse në këtë mënyrë legjitimoni tezën diabolike, se edhe vetë PD është krijuar nga zyrat e PPSH dhe të Ramiz Alisë. Ndërsa sot, partitë e reja të së djathtës vijokan që të krijohen me lejen dhe me urdhërin e PS dhe të Edi Ramës. Çka duke mos qenë e vërtetë, dëmton në mënyrë të parikuperueshme, gjithë historinë e forcave antikomuniste dje dhe të së djathtës së re shqiptare, sot.
E vërteta e thjeshtë është se Lulzim Basha dështoi që të bëhej lideri i ri, real dhe përbashkues i të gjithë aktorëve dhe faktorëve opozitarë në vend. Si të atyre të së djathtës tradicionale e historike, ashtu edhe të së djathtës së re, të krijuar këto 30 vjet të ekonomisë së tregut të lirë. Lulzim Basha vazhdon të mbetet edhe pas 8 vjetësh pas ardhjes në krye të Partisë Demokratike, thjeshtë Kryetari “de jure” i saj, sepse “de facto” lideri real ka qenë, është e me sa duket do të mbetet edhe në vazhdim, Sali Berisha.
I pafuqishëm për të realizuar atë që njihet si “akti i atvrasjes politike” duke e nisur pastrimin nga lart, të vetmen hapësirë që gjeti për të treguar lidershipin e tij, ishte pastrimi nga poshtë. Duke larguar rreth e rrotull vetes çdonjërin prej politikanëve që kishin një profil të spikatur, histori, staturë, identitet dhe personalitet brenda PD. Për tu rrethuar vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhjesh, nga një armatë anonimësh, që meritën më të madhe kanë se janë të përzgjedhurit e Kryetarit.
Në këto kushte, partitë e reja që po lindin nga radhët e personaliteteve të dëbuara me dhunë dhe në mënyrë arbitrare nga PD, po krijohen vetëm e vetëm nga Lulzim Basha. Nga paaftësia e tij për tiu kundërvënë Sali Berishës dhe pamundësia, për të përbashkuar rreth vetës, të gjithë opozitarët në emër të rikthimit të së djathtës në pushtet.
Çdo alibi dhe tezë tjetër, për ta larguar përgjegjësinë e kësaj situate nga vetja përmes propogandës qesharake, është thjeshtë treguesi i paaftësisë së tij si lider dhe i krizës së thellë në të cilën e ka zhytur opozitën para zgjedhjeve të reja!