Udhëtarët që mbërrijnë në Britaninë e Madhe nga Italia do të duhet t’i nënshtrohen një karantine dyjavore, për shkak të një ringjalljeje të epidemisë së COVID-19, njoftoi qeveria britanike. “Masë, që gjithashtu ka të bëjë me Vatikanin dhe mikroshtetin e San Marinos, do të zbatohet nga ora 03:00 GMT të dielën dhe do të vlejë për të gjithë Britaninë e Madhe dhe jo vetëm për Anglinë”, shkroi në Twitter ministri britanik i Transportit, Grant Shapps.

“Nga ana tjetër, personat që vijnë nga Kreta në Angli nuk do të kenë më nevojë ta kryejnë këtë detyrim 14-ditor”, shtoi ministri. Personat që nuk e respektojnë këtë karantinë dyjavore do të gjobiten me deri në 10 000 stërlina (11 000 euro), në rast të një vepre të përsëritur. Britania, vendi europian më i prekur nga virusi, me më shumë se 43 000 vd ekje, po përjeton një vale të dytë të COVID-19.