Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla priti në një takim në Kryesinë e Kuvendit ambasadorin e Japonisë në Tiranë, Ito Makoto, i cili po përmbyll misionin e tij në Shqipëri. Përmes një postimi në rrjetin social facebook numri Dy i PS-së Balla thekson se gjatë këtyre tre viteve të mandatit të z. Ito marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërisë dhe Japonisë janë forcuar dhe zgjeruar në mënyrë të dukshme. Sipas Ballës, marrëdhëniet shqiptaro-japoneze jo vetëm politike (qoftë mes qeverive, qoftë mes parlamenteve), në fushën e bashkëpunimit ekonomik, por edhe marrëdhëniet tona në arsim dhe kulturë po bëhen gjithmonë e më të ngushta.
“Shumë i nderuar të pres sot në një takim Ambasadorin e Japonisë në Tiranë SHTZ Ito Makoto, i cili po përmbyll misionin e tij në vendin tonë.
Gjatë këtyre tre viteve të mandatit të zotit Ito, që startuan me një mision shumë të rëndësishëm sikurse ishte hapja e Ambasadës së Japonisë këtu në Tiranë, marrëdhëniet dypalëshe janë forcuar dhe zgjeruar në mënyrë të dukshme. Marrëdhëniet shqiptaro-japoneze jo vetëm politike (qoftë mes qeverive, qoftë mes parlamenteve), në fushën e bashkëpunimit ekonomik, por edhe marrëdhëniet tona në arsim dhe kulturë po bëhen gjithmonë e më të ngushta. Ambasadori Makoto vlerësoi “mbështetjen e shumtë dhe të ҫmuar që i është dhënë në Shqipëri dhe shprehu vlerësimin se largohet nga Shqipëria me arritjen me sukses të një marrëdhënie më të fortë e më të ngushtë mes vendeve tona”.
E falenderova gjithashtu Ambasadorin e Japonisë për bashkëpunimin me bashkitë e Qarkut të Elbasanit në disa projekte, por edhe dhurimin nga Qeveria japoneze të shumë makinerive të nevojshme në përmirësimin e shërbimeve publike si dhe mbrojtjen ndaj zjarreve. I urova Ambasadorit Makoto suksese në detyrën e tij të ardhshme si Ambasador i Japonisë në Bosnje-Hercegovinë”, shkruan Balla.