Nga Artur Ajazi

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, po kërkon ta shmangë me “lezet” duke menduar zgjidhje të pranueshme për Lulzim Bashën, që ai të mos jetë kryetar partie në zgjedhjet e reja parlamentare të 25 Prillit 2021. Situata më e fundit e krijuar brënda asaj force politike, dështimet dhe reagimet e forta të ish-themeluesve ndaj listës së re, e mbushur me emra të konsumuar, si dhe pamundësia e Lulzimit ti bëjë ballë uraganit të Edi Ramës, po e shtyn Doktorin të gjejë një zgjidhje. Dhe e vetmja, mbetet mënjanimi i Lulzimit nga posti kryetarit, dhe dalja e një emri të ri, apo sajimi i ndonjë “KOP”-i të dytë si shpikje e re.

Ajo ndoshta do të merret vetëm me fushatën. Kjo për faktin sepse reaksioni që emri dhe vepra e Lulzim Bashës ka krijuar përgjatë viteve të qëndrimit si kryetar partie, mungesa e aftësisë për të mundur Edi Ramën me argumenta bindëse për demokratët, dhe aq më shumë për shumicën e shqiptarëve, e ka bërë Doktorin të ndjehet skeptik. Disa burime nga SHQUP-i, thonë se “mundësia e mënjanimit të Lulzimit nga posti i kryetarit dhe krijimi i një “KOP”-i të dytë brënda PD, që do të merret vetëm me fushatën e re, është varianti më i pranueshëm që po shqyrton Doktori”. Kjo pasi ai, e di fare mirë se, dalja e Lulzimit në fushatë, do ta zbehë edhe më shumë imazhin e një partie që ka shkëputur çdo lidhje organike me bazën e saj. Realisht në rrethe Partia Demokratike, gjendet “ku thërret qameti”, pa struktura, pa forume, pa kryesi, e ç’organizuar, dhe me mbështetës të zhgënjyer.

As dalja e Doktorit në ekrane dhe aq më tepër ta mendosh në terren, nuk do të kishte efektin e duhur tek mbështetësit e PD, ndaj është menduar “lëvizja më e fundit” që do të provojë sa “peshë” aktualisht ka kjo forcë politike, e përkthyer në vota. E vërteta është se, në 2-3 vitet e fundit Sali Berisha e ka menduar shpesh largimin e Lulzimit nga posti i kryetarit të partisë, edhe pse e di se, ai mbetet njeriu më “kokëulur” që mund ta përdorë si të dojë. Qysh nga ardhja e Lulzim Bashës si kryetar PD (i emëruar nga Doktori) deri sot, nga ajo parti janë flakur mbi 410 eksponentë, (pa llogaritur largimin e militantëve) ku natyrisht janë kontribues dhe ish-themelues të asaj partie nga Tirana në rrethe. Sali Berisha është njohës i mirë i situatave paraelektorale, dhe ndoshta “nuhatja” se Lulzimi do ta thellojë humbjen në 25 Prill 2021, e ka shtyrë të mendojë mënjanimin e tij nga posti kryetarit, qoftë edhe përkohosisht.

Lëvizja “taktike” e Doktorit në fakt nuk ka gjasa të japë efektin e duhur, (edhe sikur të ngrihet një KOP i dytë) pasi ajo parti tanimë e ka marrë rrugën drejt “mandatit” të tretë në opozitë. Eshtë tepër e vështirë për të mos thënë e pamundur, që Sali Berisha të mundohet të ringjallë edhe njëherë kohën e tij, “legjandat” e tij, aq më tepër kur përballë ka jo Fatos Nanon, por Edi Ramën, njeriun e “hekurt” të fushatave elektorale. Mendoje Doktor, mendoje dhe zbatoje planin e ri, por më parë zgjidh njerësit me të cilët do të ngresh “KOP”-in e dytë, dhe merri Lulzimit programin e vjetër elektoral, se po ngatërron dynjanë me aritmetikën e tij.