Botuesi Mero Baze ka reaguar përmes një editoriali mbi sulmet e Presidencës ndaj gazetës Tema.Duke dënuar sjelljen e kreut të shtetit, Baze shprehet se Ilir Meta ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vartësin e tij që t’i hiqej mandati deputetit Koço Kokëdhima në këmbim të një çante me para.

Nderkohë, ai shprehet se në vitin 2016 Ilir Meta i ka kërkuar që të sulmojë ambasadorët dhe Reformën në Drejtësi.

Shkrimi i plotë nga Mero Baze: Presidenti i Republikës Ilir Meta ka premtuar se do të tmerrojë gazetën “TemA” dhe botuesin e saj, kur të vijë në pushtet.Nëse kjo deklaratë do të ishte bërë në çdo vend tjetër të botës, por dhe në Shqipëri nga ndonjë personazh tjetër politik, do kishte krijuar stuhi deklaratash.

Eshtë formalisht ndoshta deklarata më e rëndë që një politikan që paguhet si “President i Republikës” mund të bëj ndaj një medie.Por lajmi i mirë është, që nuk ngjall ndonjë shqetësim serioz as tek ne si redaksi, por as në shoqëri.

Presidentin tonë nuk e merr njeri seriozisht për asgjë, as për detyrat formale të Presidentit, fjala vjen, kur anulon zgjedhje dhe kur bën dekrete për shtyrje të tyre, e jo më ta marrë seriozisht dikush kur bën mallkime si ato plakat e liga.Më së shumti të marrin në telefon njerëz të tij e të thonë “mos ja vë re këto kohë, se nuk është mirë”.

Dhe në fakt nuk është se e marrim seriozisht dhe nuk duam solidaritet në këtë pikë.Për të vetmen gjë që duhet të shqetësohemi është shëndeti i tij mendor.Nuk jemi të shqetësuar, jo se nuk besojmë se ai do të vijë në pushtet, pasi ai është në pushtet dhe më lart se kaq nuk ka ku të shkojë.

Por dhe nëse ai nënkupton ardhjen në pushtet të LSI, ky nuk është ndonjë shqetësim për gazetën “TemA”.Ky mund të jetë lajm mënxyrë për shqiptarët, por për ne është një motiv më i madh për t’u marrë me gazetari dhe për ta çuar Ilir Metën nga zyra e Presidentit në burg ose në spitalin e burgut.

Nuk duam solidaritet, as nga kolegët që janë në borderotë e Ilir Metës. Do të ishte krim ta bënim këtë. Jo se na dhimbsen të mos i marrin ato lekë, por është më mirë t’i marrin ata ato lekë, se sa ti mbajë ai në qypa të fshehur nëpër bahçe.

Qoftë dhe për këtë arsye, ata janë aleatët tanë të pavetëdijshëm, në luftë për t’i hequr krimit paratë nga duart.Ne nuk kemi asnjë pikëpyetje për Ilir Metën. Jemi shumë të qartë për të siç janë dhe diplomatët Perëndimorë në Tiranë apo kudo në botë.

E kemi parë me zë dhe figurë kush është dhe kemi po ashtu çfarë t’i tregojmë, po me zë dhe figurë, se si i ka raportet me mediat e kriminalizuara, si i urdhëron kundrejt parave që të sulmojnë personazhe politike rivale, përfshi dhe në kulisat brenda PD, si ka urdhëruar vartësin e tij të çojë çantën me lekë në Gjykatën Kushtetuese kundër Koço Kokëdhimës për t’i hequr mandatin e deputetit, dhe si funksionon ai si një bandë kriminale.

Edhe pse ngjan pak cinike, për ne është “fat” të përballemi me të, sidomos po të jetë dhe në pushtet.

Ne nuk kemi asgjë personale me Ilir Metën. As unë personalisht. Në situata normale, kur ai nuk ka lajthitje psiqike si këto që shohim herë pas here, ai është njeri i këndshëm dhe politikan tipik shqiptar, që të zbavit me paranojat dhe historitë e tij me rivalët.

Ai ka hyrë në konflikt me gazetën, ose më mirë të themi me mua personalisht, pasi më ka kërkuar në vitin 2016, të sulmoj ambasadorin e SHBA të asaj kohe zotin Lu, dhe zonjën Vlahutin, për protagonizmin e tyre për “Reformën ë Drejtësi”, që Meta e konsideron reformë kriminale.

Natyrisht nuk e kam pranuar atë kërkesë, të cilën pashë që e bënë me zell kolegë të tjerë. Unë besoj se “Reforma në Drejtësi” do të triumfojë një ditë, por dhe nëse dështon, më mirë të jem në anën e të dështuarve që besojnë tek drejtësia e re, se sa në anën e fitimtarëve kundër drejtësisë së re, siç ëndërron Ilir Meta.

Prej atëhere, ai na ka vënë në fokusin e një lufte të ftohtë por dhe publike, duke përdorur ca papagaj të vet.

Kjo na ka nderuar dhe i jemi mirënjohës.

Nëse do të turpërohesh në këtë vend si gazetar, dhe mbi të gjitha nëse do të humbësh besimin e publikut, do të mjaftonte mbështetja publike e Ilir Metës.

Ne për fat nuk e kemi dhe jemi të qetë dhe të nderuar. Shpresojmë të mos ta kemi kurrë, për të qenë në rregull me profesionin tonë.

Ndaj dhe nuk na nevojitet mbështetja e askujt kundër tij. Na nevojitet vetëm ai si kundërshtar. Kaq na bën të jemi në rregull me punën tonë. Zoti i dhëntë fuqi, në sulmet e radhës. Mezi i presim. Të shohim pastaj kush do tmerrohet!