Çështje problematike të politikës së jashtme, përfshirë tensionet me Turqinë, sanksionet kundër Bjellorusisë dhe marrëdhëniet me Kinën, do të diskutohen në një takim dy-ditor të nivelit të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian që nis të enjten. Takimi do të jetë një provë nëse BE-ja mund të flasë me një zë mbi çështje të nxehta që prekin rajonet brenda saj apo më gjerë. Takimi u shty me një javë pasi Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, ndodhej në karantinë, pasojë e një infektimi të mundshëm nga koronavirusi. Që ajo kohë ai ka rezultuar negativ.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me Bjellorusinë. BE-ja ka refuzuar ta njohë Aleksandër Lukashenkon si presidentin e vendit pas zgjedhjeve të diskutueshme të muajit gusht dhe goditjes brutale të protestave pas-zgjedhore. Gjatë një takimi me udhëheqësen e opozitës bjelloruse Svetlana Tikhanovskaya në Lituani këtë javë, Presidenti francez Emmanuel Macron premtoi të ndihmojë ndërmjetësimin e një tranzicioni paqësor përmes Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian (OSBE). Zoti Macron tha se ai kishte marrë garanci nga Presidenti rus Vladimir Putin, por zoti Putin më pas denoncoi atë që ai e quajti, presion të jashtëm ndaj Bjellorusisë.
Britania dhe Kanadaja kanë njoftuar sanksione kundër qeverisë së Bjellorusisë, por anëtari me i vogël i BE-së, Qipro, i ka bllokuar më parë përpjekjet e bllokut, duke e kushtëzuar qëndrimin e saj me marrjen e masa të ngjashme ndaj Turqisë. Por megjithatë sipas njoftimeve BE-ja ka të ngjarë t’i shpallë sanksionet shumë shpejt. Tensionet BE-Turqi janë një tjetër çështje e nxehtë. Vëmendja do të përqëndrohet tek drejta e kërkimit për naftë e gaz në Mesdheun Lindor, çështje që ka vendosur Greqinë anëtare të BE-së, kundër Ankarasë. Por blloku ka qasje të ndryshme në raport me Turqinë edhe mbi çështje të tjera të rëndësishme, sikurse përfshirja e Akarasë në Siri dhe Libi. Gjatë vizitës në Greqi të martën Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i kërkoi Athinës dhe Ankarasë që të rinisin menjëherë bisedimet mbi mosmarrëveshjen detare dhe garantoi mbështetjen e Uashingtonit.
“Ne e mbështesim fuqimisht dialogun mes aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë dhe i inkurajojmë ata të nisin bisedimet mbi këto çështje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha zoti Pompeo. Raportet dhe analistët sugjerojnë që BE-ja nuk ka gjasa të vendosë sanksione kundër Ankarasë në një të ardhme të afërt. Udhëheqësit e Francës dhe Turqisë, marrëdhëniet mes të cilëve kanë qenë veçanërisht të tensionuara, biseduan kohët e fundit për herë të parë pas disa muajsh. “Turqia është ndoshta vendi më kompleks me të cilin duhet të merret BE-ja, sepse është anëtar i NATO-s, pra një vend partner”, thotë zoti Maillard. Sebastien Maillard drejton institutin Jacques Delors, një organizatë me bazë në Paris që trajton çështje të Evropës.
“Është gjithashtu një vend me të cilin kemi lidhje të forta ekonomike”, thotë ai . “Ai është një vend me të cilin ne bashkëpunojmë për migracionin Turqia është gjithashtu zyrtarisht një vend që dëshiron t’i bashkohet BE-së. Kjo është arsyeja pse është një çështje shumë e prekshme dhe e vështirë. Sidomos për një vend si Gjermania, i cili ka një komunitet shumë të madh turk”, shton zoti Maillard.
Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë gjithashtu rreth mënyrave për të ribalancuar marrëdhëniet tregtare me Kinën, një marrëdhënie tjetër problematike. Palët zhvilluan një takim virtual të nivelit të lartë në shtator. Çështje të tjera kryesore në sfond përfshijnë paktin e ri të Komisionit Evropian mbi migracionin dhe azilin që kanë shkaktuar kritika nga disa vende të Evropës Lindore, si dhe dhunën mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e diskutueshëm të Nago-Karabakut. BE-ja ka bërë thirrje për ulje tensionesh e reduktim të dhunës atje si dhe ka paralajmëruar kundër çdo ndërhyrje nga jashtë./VOA