Kreu i Këshillit Kombëtar të PD Bujar Nishani, thotë se Shqipëria ndodhet në udhëkryq ndaj sipas tij, pas 25 prillit duhet një tronditje e fortë politike. “Misioni i PD, por edhe i të gjithë opozitës, është historik sepse Shqipëria është në një udhëkryq të rrezikshëm. Shqipëria ka nevojë për një tronditje të fortë politike pas 25 prillit, për një reformim të fortë politik. Në këtë kontekst, PD ka filluar të prezantojë këtë vizion”, tha Nishani.

Më tej, Nishani ka folur dhe për Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë, për të cilin është shprehur se është bazuar në disa elementë dhe vlerësimi ka qenë kryesori. “Kanë qenë disa kritere jo të pakta, të bazuara në eksperiencën politike. Integriteti ka qenë një nga elementët kryesorë. Kishim një revistë të qartë të tyre në lidhje me ligjin në të kaluarën dhe padyshim që ka pasur edhe një vlerësim të rëndësishëm për ndikim e tyre në zonën. Komisioni nuk ka shtuar emra të tjerë në lista dhe që nuk kanë pasur, le të themi, afirmimin e qytetarëve dhe njerëzve që janë në bazë. Ne nuk kemi bërë një gjykim mes të rinjve dhe të vjetërve”, ka shtuar ai.