Autoritetet shëndetësore në Francë kanë paralajmëruar për mbingarkim të spitaleve në Paris, derisa rastet e reja me koronavirusin e ri janë në rritje. Gjatë javës së ardhshme deri në 90 për qind e shtretërve në spitalet e Parisit mund të zihen me pacientë që vuajnë nga sëmundja COVID-19, ka thënë kreu i 39 spitaleve të Parisit, Martin Hirsch, raporton AFP.
“Rreth 24 tetorit, do të ketë një minimum prej 800 deri në 1,000 pacientë me COVID-19 në kujdes intensiv, që përfshinë 70 deri 90 për qind të kapacitetit tonë aktual”, tha ai. Franca po planifikon masa të reja për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u takua të martën me ministrat e kabinetit qeveritar për të diskutuar vendosjen e masave më të ashpra kundër pandemisë. Ai pritet t’i shpallë ato të mërkurën në mbrëmje.
Në Paris dhe qytete të tjera në rrezik, baret tashmë janë mbyllur, hyrja në palestra është kufizuar ndjeshëm dhe janë vendosur kufizime më të rrepta të tubimeve në qendrat tregtare dhe vendet e tjera. Në periudhën e fundit, Franca ka shënuar deri në mbi 26 mijë raste të reja në ditë.