Berlini, Frankfurti, Këlni. Tani edhe Shtutgarti e ka kapërcyer vlerën kritike të paralajmërimit për Coronan. Autoritetet kanë arritur në kufijtë e mundësive për gjurmimin e kontakteve, duhet të ndihmojë ushtria. Numri i infektimeve të reja me Corona në të gjithë vendin u rrit në mes të javës – në veçanti qytetet e mëdha po shkaktojnë shqetësim. Pas Berlinit dhe Frankfurtit mbi Main, edhe Shtutgarti raportoi të Shtunën në mbrëmje kalimin e vlerës kritike të 50 infektimeve të reja për 100.000 banorë në shtatë ditë. Kryeqyteti i landit federal të Baden-Württemberg tani synon të marrë pa humbur kohë kundërmasa.
“Shifrat po rriten në mënyrë shqetësuese, aq sa Zyra e Shëndetit Publik nuk mund të garantojë më ndjekjen e personave të kontaktit, gjë që është aq e rëndësishme për kontrollin e pandemisë,” shpjegoi Stefan Ehehalt, kreu i Zyrës së Shëndetit Publik të Shtutgartit. Prandaj tani duhet të mobilizohet për gjurmimin e të infektuarve e gjithë administrata e qytetit dhe po kërkohet mbështetja e ushtrisë, Bundeswehrit. Kryetari i Bashkisë së Shtutgartit, Fritz Kuhn tha pas një telefonate konferencë se duhen ndërmarrë veprime të vendosura për të ulur përsëri shifrat. “Kjo është mënyra e vetme që ne mund t’i mbajmë të hapura shkollat, kopshtet ditore, bizneset dhe shitësit me pakicë. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që të gjitha rastet të gjurmohen në Zyrën e Shëndetit Publik.”
Edhe Esseni kalon kufirin për paralajmërimin Në të gjithë Gjermaninë, gjithnjë e më shumë qytete po prekin numrin kritik të 50 rasteve të reja të infektimeve për 100.000 banorë. Këtë kufi e kaluan Berlini, Frankfurti mbi Main, Bremeni dhe Këlni. Të dielën Qendra e landit për Shëndetësinë në landin e Renanisë-Veriore-Vestfalisë informoi se Esseni ka pasur brenda shtatë ditësh 57.3 raste të reja infektimesh për 100.000 banorë.
Në të gjithë Gjermaninë, numri i personave të infektuar rishtas me virusin Corona arriti 3483 të dielën, siç njoftoi Instituti Robert Koch. Nga e mërkura në të enjten, vlera qe rritur ndjeshëm nga 2828 në 4058 vetë, nga e enjtja në të premten shifra arriti 4516 raste të reja. Të shtunën në mëngjes ishin 4721 raste të reja. Përvoja ka treguar se numri i rasteve të regjistruara është zakonisht më i ulët të dielën dhe të hënën, edhe sepse jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik raportojnë të dhëna gjatë fundjavës te Instituti-Robert-Koch.
Përballë rritjes së konsiderueshme të numrit të infektimeve, disa kryeministra landash u kan bërë thirrje qytetarëve që të sillen në mënyrë të disiplinuar. “Gradualisht situata po bëhet e rrezikshme,” i tha kryeministri i Bavarisë Markus Söder gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Në gazetën “Bild am Sonntag”, ai mbështeti një gjobë uniforme në të gjithë vendin prej 250 eurosh për ata që nuk pranojnë të mbajnë maskë./DW/