Nga nesër (22 gusht-22 shtator) jemi zyrtarisht në shenjën e Virgjëreshës, prandaj nisni që tani të mendoni ç’dhurata do t’i bëni Virgjëreshës afër jush. Po i ndjeni kritikat në ajër apo jo? Siç e di tradita, në hapje të sezonit do të flasim për karakteristikat e kësaj shenje, ose më saktë për burrat Virgjëresha. Çfarë i dallon ata nga të tjerët?
Mund ta nxjerrim jashtë loje këtë mashkull menjëherë. Nëse keni një zemër të etur për ëndrra dhe përralla romantike me princ të kaltër, hiqni dorë nga një mashkull i shenjës së Virgjëreshës. Një çështje dashurie me një Virgjëreshë do ta bëjë një person sentimentalist të futet në një botë të ftohtë, e cila mund ta dëmtojë.
Ky njeri jeton pothuajse tërësisht në një nivel praktik dhe ai nuk ka nevojë për nocionet e librave me romancë. Sigurisht, i gjithë problemi mund të jetë abstrakt, pasi do të duhen jo pak përpjekje për ta vendosur atënë një marrëdhënie burrë-grua fillimisht. Ai nuk është tipi që do tjukëndojë serenatë nën dritaren tuaj në mesnatë. Ju do të prisni shumë gjatë në ballkonin tuaj, nën dritën e hënës, derisa ai të fillojë të ngjitet nëpër kangjellat rrethuese.
Në fakt, meshkujt e shenjës së Virgjëreshës janë të përfshirë thellësisht te dashuria gjatë fëmijërisë së hershme, por jo ai lloji i dashurisë- Romeo dhe Zhulieta. Mënyra e tij kryesore për ta shprehur këtë fjalë, ka të bëjë me devotshmërinë jo egoiste për familjen, shokët dhe ata që janë më të pafuqishëm dhe të dobët se ai. Ai ka lindur me një dashuri instiktive ndaj punës, përgjegjësisë dhe disiplinës dhe përkushtim ndaj atyre që janë në nevojë. Edhe Virgjëresha më pak e përfshirë, që nuk arrin të tilla nivele, e quan veten pak fajtore nëse nuk është duke jetuar në një farë ideali vetmohues.
Ajo lloj dashurie e cila shfaqet me emocione dramatike, premtime sentimentale, deklarata të mbytura në lot dhe afeksion të squllët, jo vetëm që lë një mashkull të Virgjëreshës të ftohtë akull, por mund ta frikësojë atë aq shumë sa të largohet me autobuzin apo trenin më të afërt jashtë qytetit. (Aeroplanët janë shumë të shtrenjtë për të, vetëm nëse ai është me të vërtetë i dëshpëruar.) Por ai edhe mund të shkrihet, nëse është temperatura e duhur, ndonëse ai duket sikur është krijuar nga një kombinim i çelikut dhe akullit. Ka patjetër mënyra për të shkuar drejt zemrës së Virgjëreshës. Mënyra sekrete. Ndjekja agresive nuk është një prej tyre. As nazet si koketë apo të qenit seksualisht tërheqëse, madje as të gjitha ato lëvizjet flirtuese drithëruese që keni mësuar.
Njerëzit e shenjës së Virgjëreshës kërkojnë cilësi dhe jo sasi në romancë dhe dashuri. Duke qenë se cilësia është diçka që e kërkojnë me ngul në të gjitha fushat e jetës, ata kanë shumë pak dashuri të vërteta dhe disa nga këto pak dashuri janë të destinuara të jenë pafat në shumicën e rasteve. Reagimi i Virgjëreshës pas një zhgënjimi të tillë zakonisht është duke u zhytur në punën më të vështirë që mund të gjejë, të qëndrojnë larg nga shoqëria në përgjithësi dhe të jetë dy herë më i kujdesshëm herën tjetër. Ju do të shihni se duhet të përdorni strategji dhe durim të konsiderueshëm. Virtyti kryesor i Virgjëreshës është dlirësia dhe ai do të heq dorë prej tij vetëm për një arsye të mirë, ose për një grua shumë të mirë.
Shumë njerëz të shenjës së Virgjëreshës- sigurisht jo të gjithë- mund të jetojnë beqarë shumë më lehtë se çdo shenjë tjetër e zodiakut, ashtu si ata u binden rregullave të disiplinës edhe nëse nuk i kuptojnë, sepse bindja ndaj fatit pa luftuar vjen natyrshëm për ta. Nëse fati u rezervon një jetë në vetmi, mashkulli i Virgjëreshës është i përgatitur ta pranojë atë pa keqardhje të tepërta ose trauma emocionale, kështu që ka shumë meshkuj beqarë të Virgjëreshës rreth e rrotull-por gjithsesi gjatë rrugës së tyre të qetë, ata mund të menaxhojnë disa çështje dashurie shumë të brishta.
Edhe pse ai kurrë nuk e shfaq, një mashkull i shenjës së Virgjëreshës mund të jetë një mjeshtër i artit të joshjes me delikatesë. Burri i shenjës së Virgjëreshës është një përzierje e intelektit të mprehtë dhe tokës së ngurtë. Ai mund të jetë mjaftueshëm i veçantë sa për të thyer shumë zemra me flirtimin e tij të ftohtë, por ndjenja e tij kritike- analitike dhe diskriminimi i tij i stërholluar rrallë lejojnë që këto flirtime të shpeshta të lënë arenën platonike. Ai duhet të nxehet me një elektricitet shumë të lartë që të nxisë pasionin e vërtetë te një Virgjëreshë. Vetëm modestia dhe natyra përzgjedhëse parandalojnë shthyrjen dhe imoralitetin e tij. Sigurisht, mund të ketë edhe momente te një përvojë thjesht fizike, por të tilla raste janë përjashtime dhe jo të zakonshme. Rregulli kryesor për ta është – interesi i ftohtë. Ka gjithmonë diçka të pastër dhe të dlirë në lidhje me dashurinë e një Virgjëreshe, e cila nuk e lejon atë që të ndotet – as në mes të pasionit.
Ai do ti duhet të harxhojë kohë, nga koha e tij e çmuar për të gjetur një “objekt” dashurie, sepse ai është kritik dhe i përpiktë në zgjedhjen e një gruaje, ashtu siç është përzgjedhes për ushqimin dhe shëndetin e tij, veshjen dhe shprehitë e punës.
Mos u përpiqni të luani me të ose ta gënjeni. Ai dëshiron një marrëdhënie të mirë, të ndershme dhe të vërtetë. Ai e di shumë mirë se sa të vogla janë shanset e tij për ta gjetur atë, por ai sërish nuk pret më pak se kaq Nëse rrethanat ndonjëherë e detyrojnë atë të përfshihet në një situatë jo të pranueshme për të, ju mund të jeni të sigurt se ai nuk do të mbetet në kthetrat e saj për kohë të gjatë.
Ai është një njeri i vështirë për tu ndezur emocionalisht. Ai mund të kalojë një kohë të gjatë pa ndier nevojën për një partnere të përhershme. Kjo është e mjaftueshme për tju bërë për të qarë në qoftë se ju keni vendosur që ta bëni tuajin atë. Ju do të pyesni veten në qoftë se ai është bërë prej mermeri apo ka lindur pa zemër. Jo, ai nuk është bërë me mermer dhe po, ai e ka një zemër. Bëhuni e durueshme. Po të dini të prisni, do tia arrini qëllimit.
Megjithatë, nëse ai vendos se kjo është e vërtetë, ai do tja pohojë vetes me thjeshtësi prekëse. Dashuria e tij do të digjet me një flakë të qëndrueshme, duke mos u luhatur asnjëherë, në krahasim me shenjat e tjera të zodiakut dhe ai do t’ju japë ngrohtësi gjatë viteve me një siguri të mrekullueshme. A është kaq e keqekjo? Një cilësi si në histori përrallash romantike në lidhjeme Virgjëreshën është se, në qoftë se ai është me të vërtetë i dashuruar, ai do të presë me vite për të kërkuar shoqen e vertetë, ose do të udhëtojë mbi një mijë male për ta sjellë atë në zemrën e tij.
Ai është i aftë për sakrifica të mëdha në ndjekje të asaj këmbës së hollë që ai po kërkon të zbulojë, e cila do të futet me lehtësi në këpucën prej qelqi. Duhet pranuar që pasi flaka e dashurisë ndizet, ajo do jetë shumë e fortë. Madje do te jetë pothuajse e pamundur për ta shuar atë. Ju do të adhuroheni prej tij sikur të ishit vetë Hirushja. Sekreti, mendoj unë, është në mënyrën sesi u ndez zjarri i dashurisë. Vetëm një këmbë e rrallë mund ti përshtatet këpucës së qelqit që ka ai. Mashkulli i shenjës së Virgjëreshës është jashtëzakonisht i veçantë.
Pasi ta keni kapur atë, ai rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk do të provokojë xhelozinë tuaj, gjithashtu ai do të jetë i vendosur për të kapërcyer çdo problem financiar,problem me të afërmit apo ndërhyrje nga jashtë. Ai do të tregojë forcë të pabesueshme gjatë vështirësive emocionale dhe materiale, për aq kohë sa ju do të qëndroni pranë tij. Ju nuk mund të kërkoni për një partner më të ndjeshëm, më të butë, kur jeni zemërthyer apo i sëmurë fizikisht. Ai nuk do tju mbulojë me pará , por do ti plotësojë shumë mirë nevojat tuaja dhe nuk do të kursehet për tju dhënë vlerësime dhe konsideratë.
Një mashkull i shenjës së Virgjëreshës është i ndjeshëm ndaj atyre gjërave të vogla të cilat kanë rëndësi për gratë. Ai ka një kujtesë të qartë si kristali dhe ndoshta nuk do ti harrojë datate veçanta, edhe pse ai mund të jetë pak i pështjelluar se pse ju mendoni që janë kaq të rëndësishme. Ai nuk do të jetë një xheloz pasionant, por meshkujt e kësaj shenje janë posesiv në ekstrem.
Kjo tingëllon si një detaj i vogël për ta përmendur, por është e rëndësishme. Edhe pse ai nuk do të bëjë skena emocionale xhelozie nëse burra të tjerë do të interesohen per ju,posesiviteti i tij i rrënjosur thellë duhet t’ju tërheqë vërejtjen se tashmë do ta humbisni një pjesë të lirisë suaj. Gruaja e një mashkulli të Virgjëreshës që endet shumë larg nga vatra e ngrohtë e shtëpisë, shumë shpesh mund ta gjejë veten pa një burrë, kur të kthehet në shtëpi.
Virgjëreshat janë shumë besnikë dhe ata nuk pëlqejnë të shkatërrojnë familjet, por kur ndjenja e tyre e mirësjelljes, shndërrohet në zemërim, ata nuk do të hezitojnë të ndahen përfundimisht, në sallën e gjyqit. Për ta nuk ka seanca gjyqsore të komplikuara.Çfarë ka marrë fund, ka marrë fund. Mirupafshim dhe fat të mirë. As kujtesa jashtëzakonisht e mprehtë dhe e shkëlqyer eVirgjëreshës, nuk do ta bëj atë që të derdhë lot sentimentalizmi për të kaluarën, thjesht sepse ai është në gjendje që ta disiplinojë kujtesën e tij mënyrë të vendosur, ashtu siç bën me emocionet e tij. Vetë-disiplina është pjesë e natyrës së tij. Mashkulli i Virgjëreshës kur e mbledh mendjen për diçka, nuk ka lot dhe falje që mund ti ndryshojnë mendjen. Ai kurrë nuk do të bie viktimë e iluzionit për një ribashkim, pasi sipas tij ajo që thuhet nuk mund të ngjitet më.
Nëse zemra juaj rreh vetëm për këtë mashkull të shenjës së Virgjëreshës, do tju sygjeroja që ti kushtoni rëndësi pasurimit të mendjes suaj. Ata e urrejnë injorancën, budallallëkun dhe të menduarit e cekët, pothuajse po aq shumë sa urrejnë papastërtinë dhe vulgaritetin dhe kjo do të thotë që është shumë. Vajza që do të kapë në “grackën” e dashurisë zemrën e Virgjëreshës do të bëjë mirë që të vishet me mençuri dhe të ketë një mendje të zgjuar nën flokët e saj të mbajtura me stil të thjeshtë- vini re që thashë me stil të thjeshtë flokësh. Meshkujt e Virgjëreshës interesohen për gratë që janë të pastra në trup dhenë mendje si dhe që dhe që vishen mirë, por jo që të bien ekstremisht në sy për modernizim.
Nuk është e thënë që ju të jeni Julia Child (personalitet me famë ndërkombëtare në fushën e gatimit), por kini mirësinë që mos të jeni aq naivesa të mendoni se një burri i kësaj shenje do tju lejojë që të ushqehet me ushqime të konservuara. Një grua dembele, egoiste dhe që kërkon vetën të marrë kënaqësi nuk do tia dalë dot me një mashkull të Virgjëreshës, edhe në qoftë se ajo është tmerrësisht femërore. Ky është mashkulli i fundit në botë që ju mund të prisni që të jetë duke vrapuar me një vajzë “topless, edhe pse ai mund ti japë hua xhaketën e tij asaj, nëse ajo ka ftohtë. Kur vjen puna për të zgjedhur, ai do të marrë një grua – jo një kurtizane, në kuptimin e plotë të fjalës.
Burrat e shenjës së Virgjëreshës, zakonisht, nuk kanë ndonjë dëshirë të zjarrtë për tu bërë baballarë. Lloj i tyre i veçantë i egos nuk duket se kërkon fëmijë, për tu përmbushur emocionalisht dhe njerëzit e kësaj shenje priren të kenë familje të vogla. Megjithatë, sapo fëmija ose fëmijët të dalin në dritë, prindi i shenjës së Virgjëreshës do të jetë jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe kurrë nuk do ti marrë përgjegjësitë e tij me lehtësi. Ai do të kalojë shumë orë me ta duke i mësuar aftësi të ndryshme dhe duke ju transmetuar standardet e veta të larta të sjelljes. Ai do të jetë gjithmonë i gatshëm për ti ndihmuar me detyrat e shtëpisë dhe ndoshta do të bëjë sakrifica të pafundme që ata të marrin mësime muzike, të shkojnë në kampe verore dhe sidomos në universitet. Një baba i shenjës së Virgjëreshës do ta vendosë theksin mbi intelektin dhe do ti edukojë fëmijët e tij fort në çështjet e etikës, mirësjelljes dhe qytetarisë së mirë. Edhe baballarët e Virgjëreshës të divorcuar, gjithmonë do të jenë në dijeni të ecurisë së fëmijës së vet, kudo që të ndodhen dhe do të luftojnë që fëmija të arsimohet sa më mirë të jetë e mundur. Fëmijët e baballarëve të Virgjëreshës, zakonisht rriten me dashurinë dhe me respektin për librat dhe të mësuarin.
Ju rrallë do të shihni një baba të kësaj shenje që të llastojë fëmijën e vet dhe ai gjithmonë do ta vlerësojë disiplinën si shumë të nevojshme në rritjen e një fëmije. E gjithë kjo është diçka pozitive, por mund të ketë nevojë për më shumë shprehje fizike të dashurisë mes një babai të Virgjëreshës dhe fëmijëve të tij, pasi dashuria nuk është diçka që vjen natyrshëm për të. Nëse ai nuk bën një përpjekje serioze në këtë aspect që në periudhën e foshnjërisë,ekziston mundësia që një ditë ai të zbulojë se një pengesë e pakapërcyeshme ndodhet midis tij dhe fëmijës që ai e do aq shumë. Ai gjithashtu ka një tendencë të jetë shumë kritik,shumë i rreptë dhe të presë shumë brenda një kohe të shkurtër.
Një mashkull i Virgjëreshës do të presë që ju të preokupoheni për shëndetin e tij, por edhe ai do të shqetësohet për ju kur të jeni sëmurë. Ai mund të ketë këto luhatjet e humorit, herë pas here, ndoshta edhe shpesh. Por një gjë është e sigurtë. Nëse ju e lini atë vetëm, ai nuk do tju gjurmojë nga mbrapa për të nisur debate me ju. Lejeni atë vetëm në mërzitjen e tij dhe ai do të dalë prej saj më i butë se më parë. Lejeni atë të shqetësohet. Është mirë për të,sepse është si një lloj ushtrimi mendor për Virgjëreshën. Por kur ta shihni se kjo po ndikon në gjëndjen e tij fizike, sygjerojini atij diçka interesante apo të re për të bërë. Nuk është vështirë për tërhequr vëmendjen e një mashkulli të shenjës së Virgjëreshës, edhe pse mund të jetë e vështirë për ta mbajtur atë.
Tani që ju e dini se me cilin keni të bëni, në qoftë se jeni ende e dashuruar me këtë mashkull të Virgjëreshës, ju mund të prisni një të ardhme të kënaqshme. Ju do të keni një burrë i cili është vigjilent dhe i mirëinformuar, i cili nuk do të presë që jut ë jeni gjithë kohës duke ardhur vërdallë me pamje seksi, me një trëndafil në flokë dhe një tjetër midis dhëmbëve. (Edhe pse ai mund të presë që ju të keni një copë sapuni në çdo dorë).
Ai do të jetë i besueshëm dhe i këndshëm, në qoftë se ju do të jeni me takt në lidhje me gabimet e tij. Ai nuk do të ketë shumë gabime gjithsesi-nëse nuk e quani gabim mënyrën sesi ai ekalon gishtin e tij tregues mbi të gjitha mobiljet çdo natë, duke kërkuar për pluhur. Zakone të vogla si puna e kësaj. Pavarësisht asaj që ai bën, ju duhet të përpiqeni të mos e bezdisni. Mos harroni, ai nuk është ndërtuar që të përballojë kritikat, siç ua adreson të tjerëve. Mësohuni me zakonin e tij për të kritikuar dhe qeshni me faktin që ai nuk mundet të rrijë pa u marrë me gjërat e vogla dhe të parëndësishme gjatë gjihë kohës. Sapo kjo pakënaqësi dhe bezdisje të eleminohet, ju mund të qetësoheni dhe ti gëzoheni burrit tuaj besnik dhe të ndritshëm të shenjës së Virgjereshës. Ai vërtetë nuk është një engjëll dhe nuk ka krahë mbi supet e tij. Por shumica e grave do të jenë xheloze për ju.
Në fund të fundit, sa gra janë të martuara me një njeri punëtor, të pashëm, i cili kujdeset për pastërtinë dhe rregullsinë e shtëpisë, i cili kujtohet për përvjetorët dhe bën mrekulli me bllokun e çeqeve? Sa gra kanë një burrë të zgjuar që vishet mirë, që rrallë del darkave me shokët ose ngatërrohet me gratë e tjera dhe zakonisht është i butë dhe i kujdesshëm? Sigurisht, jo shumë, por ti je një prej tyre!!
Përshtatur nga përshkrimi i karakteristikave të shenjeva të horoskopit sipas Linda Goodman. Anabel/