Një debat me tone më të qeta, një publik që mbante maskë dhe një xham që ndante kandidatët. Është kjo pamja e debatit mes kandidatëve për zv.president të SHBA, zv.presidentit Mike Pence dhe të zgjedhurës së Joe Biden, demokratja Kamala Harris. Një debat larg kaosit të debatit të parë presidencial Trump-Biden. Në debatin e zhvilluar në Utah, Kamala Harris kritikoi administratën Trump për mënyrën e menaxhimit të krizës nga COVID-19.

“Qytetarët amerikanë janë dëshmitarë se kjo administratë presidenciale është dështimi më i madh në historinë e vendit. Dhe këtë e tregojnë faktet. 210.000 viktima në vendin tonë. Mbi 7 milionë njerëz të infektuar nga sëmundja”, tha Kamala Harris, kandidatja demokrate për zëvendëspresidente, “Që nga dita e parë Presidenti Trump ka vënë në plan të parë shëndetin e amerikanëve. Shumë më përpara sesa të zbuloheshin 5 rastet e para të infektuarve në SHBA presidenti Trump veproi si askush tjetër, anuloi udhëtimet për të gjithë njerëzit që ktheheshin nga Kina ekonomia e dytë më e madhe në botë”, u shprej zv. presidenti Mike Pence.

Gjatë debatit Mike Pence kritikoi rivalen, duke u shprehur se ajo asnjëherë nuk do të bënte një vaksinë anti-COVID nëse Trump do t’ia sugjeronte. “Mjaft bëtë politike duke luajtur me jetët e njerëzve. Realiteti është ky, ne do të kemi një vaksinë, besoj përpara fundit të këtij viti”, tha Pence. Të dy kandidatët u munduan të fitojnë pikë duke sulmuar edhe shefat e njëri-tjetrit “… Dhe do të ishte vërtet mirë të dihej se kujt i ka borxh presidenti i Shteteve të Bashkuara, Komandanti i Përgjithshëm sepse populli amerikan ka të drejtë të dijë se çfarë po ndikon në vendimet e presidentit”, tha znj. Harris.

“Joe Bidens tha se beson se zbatimi i ligjit ka një paragjykim implikant ndaj pakicave, por është një fyerje e madhe për burrat dhe gratë që shërbejnë në zbatimin e ligjit”, u përgjigj z. Pence. Debatet e zv/presidentëve zakonisht nuk konsiderohen shumë domethënës, por për shkak të moshës së kandidatëve presidencialë (dy nga më të vjetrit në histori) një prej kandidatëve mund të përfundojë edhe detyrën e tij më të lartë.