Je një njeri me aftësi të spikatura në profesionin tënd? Je një njeri me energji, me ide dhe me dëshirë për t’u angazhuar politikisht? Je mbi 18 vjeç dhe pa rekorde kr iminale? Atëherë, ti mund të jesh një deputet në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
Ditën e sotme, gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Socialiste ka prezantuar një platformë e cila i adresohet të gjithë qytetarëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e politikës.

Aplikimi në këtë platformë bëhet përmes një formulari online në webfaqen deputetiqeduam.al.

Kategoritë tipike që do të merren në konsideratë janë studentët, fermerët, intelektualët, emigrantët, sipërmarrësit e vegjël, mjekë, por edhe të gjithë ata që kanë kontribute të veçanta në profesionet e tyre. Përveç një formulari të plotësuar elektronikisht, të interesuarit duhet të dërgojnë edhe një CV, një letër motivimi dhe një video 2-3 minutëshe prezantimi.

Një komision i posaçëm i përbërë nga anëtarë të Partisë Socialiste dhe ekspertë e intelektualë të pavarur do të përzgjedhin në fazën e parë 90 kandidatët më të mirë.
Një seleksionim i dytë do të përzgjedhë kandidatët finalë, që do të bëhen pjesë e listës së hapur të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit. Nisma e prezantuar ditën e sotme në selinë e socialistëve nga Kryeministri Rama vjen dy javë pas prezantimit të një tjetër platforme, ajo e vlerësimit të të gjithë deputetëve aktualë nga më shumë se 100 mijë anëtarë të Partisë Socialiste.

Rezultatet e vlerësimit të brendshëm do të shërbejnë për të identifikuar deputetët më të vlerësuar dhe me impaktin më të lartë në komunitetet e tyre. Qëllimi i këtyre dy platformave është rifresktimi i PS në prag të zgjedhjeve parlamentare, përmes kombinimit të elementëve të rinj më të talentuar, me personat që kanë dhënë kontributet më të spikatura gjatë 8 viteve të fundit të qeverisjes.