Nga Klevis Bakillari/Toka e shqiponjave është vendi me një histori heroike. Në shekuj e sfiduar në terrin e terreneve të ashpra gjeopolitike e pushtuese, në shekuj e fituar në diellin e drejtësive historike, prej shovinizmave histerike që koha ia përplasi në shpinë. Shqipëtari e shqiptaria mbijetuan, u ngritën e u rritën e sot janë në hapin e fundit të bashkimit me familjen natyrale, atë Europiane e cila odën dhe sofrën e ka në Bruksel.Shqipëria dhe shqiptarët janë përbërës të mozaikut të vendeve dhe popujve të kontinentit europian. Demokracia perëndimore ka frymëzuar dhe entuziazmuar aspiratën mbarë popullore shqiptare për të mos qënë thjeshtë një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik,gjenetik,historik dhe tradicional e kontinentit europian, por të bëhemi hallkë integrale e bashkësisë aktuale dhe të identitetit të ri europian, të përthithim dhe të përçojmë vlerat më të mira si dhe të kontribuojmë për ruajtjen, respektimin e mëtejshëm të tyre. Pas vendosjes së pluralizmit politik, aspirata europiane, ka bërë që të vendoset një kurs i qartë integrues që do të ndiqej me konsekuencë nga të gjitha qeveritë shqiptare deri në aderimin e plotë të Shqipërisë në Europën e Bashkuar. Procesi i integrimit europian në thelb është një sfidë reformimi dhe europianizimi nga brenda e shoqërisë prej së cilës të gjithë duhet të përfshihemi. Maja e piramidës shtetërore, ka patur objektiv boshtor, integrimin europian. Çdo forcë qeverisëse, ka kontributin pozitiv apo negativ në këtë rrugëtim ndër vite. Duke u nisur nga fakti se proçes i anëtarësimit nuk është proçes i zakonshëm negocimi diplomatik, duhet të ketë një konsensus gjithëpërfshirës rreth këtij projekti kombëtar. Ky projekt ka nevojë jo vetëm për përfshirjen e qeverisë por edhe të faktorëve të tjerë si institucionet shtetërore, të opozitës, të partnerëve sociale dhe të shoqërisë. Aktorët politikë opozitar dje e sot dhe nesër janë treguar shpeshherë të lëkundur, të paaftë, madje ndonjeherë të pandershëm dhe jobesnik ndaj aspiratave të një populli të tërë. Partitë opozitare që kanë humbur rolin dhe sot i bëjnë opozitën opozitës, ndodhen në një intruvertë politike dhe agoni pa kthim. Partia e lindur porsi kërpudha pas shiut, me kamuflazh integrues dhe me porosi të njeriut të breshërive të 97′, ka vite që i vë shkopinj në rrota integrimit duke e shndërruar politikëbërjen në biznes. Partia që premtoi pranverën në Shqipërinë postkomuniste, shumë shpejt tradhëtoi idealet dhe e mplakur dimëron çdo stinë politike. Por Shqipëria do të rrojë,do të prosperohet, për të luftojmë ne. Shqipëria do të vazhdojë përpara rrugëtimin zhvillimor me idealistin dhe reformatorin e palodhur, Edi Ramën i cili ka ridimensionuar raportet e Shqipërisë me botën, i ka dhënë imazhin e freskët europian.
Kur ndodhesh në Bruksel, është e pamundur të mos kalosh në Rue de la Loi (law street) për të shuar kërshërinë dhe takuar me dashurinë europiane, godinën Charlemagne që arkitekti Jacques Cuisinier projektoi në 1967, për selinë e BE. Njëri pas tjetrit radhiten e valëviten flamujt anëtarë. Koloriti të magjeps, ta shton energjinë pozitive dhe të rrit dozat e optimizmit. Dhe ja ku janë: Franca, Gjermania, Spanja, Italia, Polonia etj. Ja ku është edhe Austria dhe menjëherë të vjen në mendje Vjena e tingujve klasik të Amadeus Mozart, Joseph Haydn, Johann Strauss. Vjena e cila e shndërroi në vjenez edhe pianistin Bethoven. Austria e Operas Vjeneze dhe e muzikës folk ‘Schrammelmusik’, e dashurisë së pavdekshme për ëmbëlsirat, e kafeneve vjeneze që ishin një oaz kulturor duke qënë se frekuentoheshin nga shkrimtarë dhe poetë austriak me famë botërore. Austria, toka e artit dhe artistëve, e novelistëve Stefan Zweig, Thomas Bernhard, Robert Musil, dhe poeteve Georg Trakl, Franz Werfel, Rainer Maria Rilke, Adalbert Stifter e shkrimtarit të famshëm nobelist Peter Handke, neurologut dhe themeluesit të psikoanalizës Zigmund Freud, fizikanit nobelist Erwin Schrödinger cili zhvilloi teorinë kuantike mbi funksionimin e sistemit valor. Kuzhina aromatike me bazë mishin në pjatën Wiener Schnitzel.Vendi më elegantë në rruzull për tu kënaqur pas një gote vere apo një gote birrë Stiegl, më e vjetra, e prodhuar për herë të parë më 1492.Ja ku është Kroacia dhe menjëherë të vjen në mendje Dubrovniku, i përshkruar nga Lord Bajron si Perla e Adriatikut por edhe qyteti ku është xhiruar i famshmi ‘Game of Thrones’. Spliti, i Sfinksit egjiptian 4000 vjecar që u soll nga Egjipti për Dioklicianin. Humi, qyteti më i vogël në rruzullin tokësor. Kroacia e tartufit ose ‘diamantit të kuzhinës’. Kroacia e njohur për qentë e rracës dalmatë. Kroacia me numrin më të lartë botërorë sa i takon trashëgimisë kulturore të mbrojtura nga UNESCO.Kroacia ku ka jetuar komuniteti neandertal më i madh në glob. Kroacia e Penkala i cili shpiku lapsin e parë më 1906 që sot quhet ‘pen’. Kroacia e një ndër tre Amfiteatrot e mbetur ku luftuan gladiatorët romak.
Më pas Rumania e maleve Karpate që përveç oksigjenit e faunës diverse, strehon mbi 6000 arinjë të kafenjtë. Rumania me Transilvaninë dhe Kështjellën e Drakulës, e njohur nga novelat horror të Bram Stoker. People’s Palace pra Godina Parlamentare e ndërtuar në Bukuresht nga N. Çaushesku, është godina më e madhe administrative në botë pas Pentagonit Amerikanë. Rumania e markës së makinave Dacia, një bashkëpunim me Renaultin francez.Rumania me një florë dhe faunë të pasur, sidomos për kuajt e egër dhe mbi 300 lloje zogjsh vetëm në Deltën e Danubit në Detin e Zi.
Bullgaria ose toka e trëndafilave të kuq dhe e livandos, radhitet e dyta në botë për ujërat termalë, me mbi 700 burime Spa. Është vendi origjinë i alfabetit cirilik të cilin e përshtati përpara Rusisë dhe e përdor edhe sot. Ishin vëllezërit Cyril dhe Methodius nga Selaniku që krijuan alfabetin e parë sllavë, atë Glagolitik.
Bullgaria e një folklori të pasur dhe me Gajden e rekordit gines të fituar në performancën 9 minutëshe të 333 gajdexhinjve bullgarë. Valya Balkanska është këngëtarja shumë e famshme në perëndim me këngën “Izlel ye Delyo Haydutin”.Hungaria e gjuhës unikale Magyar, e kaubojsave, e muzikës klasike, e kulturës mbarë popullore për Spa e banjat termalë të ndërtuar sipas arkitekturës greke, romake e turke. Hungaria e garës së parë ‘Grand Prix’ të Formula 1, e kubeve Rubik apo ndryshe kubi magjik të shpikur nga Erno Rubik. Vendi i supës tradicionale hungareze të quajtur ‘Gulyásleves’.
Belgjika e dashuruar pas çokollatës, birrës dhe patateve të skuqura. Belgjika ose skena e humbjes finale të Napoleon Bonnaparte në Waterloo, Brukselin jugor më 1815. Shteti me rekord botëror prej 541 ditësh pa qeveri. Belgjika që e ka ligjin të shenjtë dhe godinën e Gjykatës në Bruksel, më të madhe edhe se Bazilika e Shën Pjterit në Romë. Atdheu i adhuruesve të Party, vendi ku zhvillohet festivali i famshëm Tomorrowland.Belgjika që ka më shumë shkrimtarë komik për kilometër katror se çdo vend tjetër. ‘Aventurat e Tintinit’ janë ato më të njohurat të shkruara nga Georges Remi (Hergé) të cilat janë të ilustruara me statuja dhe imazhe sot në rrugët e ndërtesat e Brukselit. Eseisti dhe novelisti fitues i çmimit nobel në Letërsi ,Maurice Maeterlinck është belg.Ishte belg,prifti dhe kosmologu Georges Lemaître i teorisë zanafillës së krijimit të universit, teorisë Big Bang-ut. Legjenda e muzikës xhaz , kitaristi i talentuar që luante me dy gishta kitarën spanjolle, Jean Baptiste ‘Django’ Reinhardt ose shkurtë ‘Django’, ishte belg. Stromae, artisti i lindur në Bruksel që këndon proza të thella lirike, ka gjetur suksesin muzikor francez edhe brenda botës Anglofile duke e prezantuar botën me kuptimin e vërtete të Belgjikës.Ështe belg qyteti i vogël i quajtur Spa, ku gjenden shumë banja termalë, nga kanë marrë emërtimin gjithë trajtimeve termale spa nëpër botë. Dhe për të apasionuarit pas bilardos, mund të themi se në Belgjikë janë prodhuar 80% e gurëve te bilardos që janë sot të përhapur në çdo kontinent. Dhe vazhdojnë valëvitjen, flamujt e vendeve anëtare.
Dhe jemi futur tanimë në epokën e Shqipërisë, për të bërë atë hapin e fundit. Dhe si çdo shqiptar, unë po e pres Nënën Shqipëri,të zërë vendin që i takon mes 27 flamujve europianë. Unë jam i sigurt se Shqipëria do të vij sepse Shqipëria nuk është Godoja dhe unë s’mund të jem një Vladimir apo Estragon. Nëna Shqipëri po vjen dhe duket ashtu siç e përshkruante Agolli:
Duart e tua qe u rregjen nga puna Dhe gishterinjte qe zune kallo nga kembezat e dyfekeve, Dhe supet qe u varen nga xhokja e nga guna, Dhe mesin qe u hollua nga gjerdanet e fishekeve, Dhe ballin qe rrudh e u lerua nga mendimi, Dhe beben e syrit qe u mpreh nga shenjestra, Dhe kembet qe u zmadhuan nga ecja e mundimi,Dhe qerpiket qe u dogjen nga baruti ne shkrepa…