Argjentina është bërë vendi i parë në botë që ka miratuar rritjen dhe konsumin e grurit të modifikuar gjenetikisht. Një komision shkencor i ministrisë së bujqësisë në vend, tha në një deklaratë se kishte miratuar varietetin që i reziston thatësirave në eksportuesin e katërt më të madh në botë të të mbjellave.
“Ky është miratimi i parë në botë i grurit të transformuar gjenetikisht që toleron thatësirën”, tha komisioni në një deklaratë. Sidoqoftë, ekspertët kanë shprehur shqetësim për rritjen dhe shitjen e të mbjellave të modifikuara gjenetikisht, duke përmendur vështirësitë në marketingun e produkteve të tilla për konsumatorët që janë të shqetësuar për pasojat e tyre në shëndet dhe në ambient.
Komisioni sidoqoftë thotë se modifikimet gjenetike të grurit në Argjentinë duhet të miratohen edhe në brazil, tregun më të madh të eksportit për vendin, në mënyrë që gruri të komercializohet. Rreth 45 për qind e grurit argjentinas që u eksportua në 2019, shkoi në Brazil. Tregje të tjera të rëndësishme janë Indonezia, Kili dhe Kenia. Varieteti që i reziston thatësirës është krijuar në kompaninë bioteknologjike argjentinase, Bioceres, në bashkëpunim me universitetin kombëtar. Tani, për autoritetet, duhet punuar me opinionin dhe duhen bindur njerëzit që gruri është shumë i mirë dhe se bëhet fjalë për një arritje të madhe. Dhe vendi i parë që duhet bindur, është Brazili.