Ministrja Elisa Spiropali dhe Erion Isai, kryetar i bashkisë së Kolonjës ishin të ftuarit e Luana Vjollcës në puntatën e dytë të spektaklit “Shiko Kush LUAN”. Spiropali dhe Isai u vendosën në sfidën e “ringut” ku përballë tyre u paraqitën plot 14 figura të politikës shqiptare. Për secilin prej politikanëve dy të ftuarit kishin për detyrë të thonin nga një koment pikant.
Disa nga personazhet e përzgjedhur ishin Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Voltana Ademi e Sali Berisha, ish-kreu i Partisë Demokratike. Komenti i Erion Isait kur u paraqit fotoja e zotit Sali Berisha ishte:” Një nga kolegët e mi më të talentuar në fushën e humorit”.
Nga ana tjetër zonja Spiropali përpara fotos së Monika Kryemadhit u shpreh vetëm me fjalët: “Hell’s kitchen”. Një tjetër figurë ishte Nard Ndoka, për të cilin Isai u shpreh: “ Hola muchacos” ndërkohë Spiropali përzgjodhi fjalët: “Google Translate”.
Kur para doli fotoja e Z.Lulzim Basha, Elisa e krahasoi me Simbën: “Simba, Luana në tentativë!”, tha ajo duke shkaktuar të qeshura në skenë, ndërkohë Isai e krahasoi duke e quajtur: “tramvaji me emrin ‘dëshirë’”. E për kryetaren e Bashkisë Shkodër, zonjën Ademi, ministria Spiropali vendosi të komentojë në këtë formë: “E vetmja shkodrane që jo të tana i ban”.