Pas personaliteteve të njohura të artit, gazetarisë e kulturës, si këngëtari Land Hysi, mexosopranoja Vikena Kamenica, aktorja Arjola Demiraj dhe gazetarja Iris Luarasi, familjes së Partisë Socialiste i është bashkuar sot edhe aktorja e njohur Monika Lubonja. Në takimin e Asamblesë Socialiste të Njësisë 2, Lubonja nuk e ka fshehur mbështetjen për Partinë Socialiste dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
“Vajza ime këtë vit më tha: Mami, sa shumë ka ndryshuar Tirana dhe sa të lumtur qenkan fëmijët. Këta fëmijë paskan parqe, sepse unë kur isha e vogël nuk pata park. Edhe kur dilja jashtë më merrte gjyshja dhe kthehesha direkt në shtëpi sepse nuk kishte stol ku të ulej. Ndërsa sot, unë shikoj këta gjyshër që, jo vetëm kënaqen me fëmijët në parqe e lulishte, por që edhe bëjnë muhabet me njëri-tjetrin. Kjo është merita juaj. I keni dhënë oksigjenin dhe ajrin fëmijëve,” u shpreh ajo.
Ndërkaq, Veliaj e ka pritur me fjalë të ngrohta aktoren e njohur. “Monika, mirëserdhe në familjen tonë! Ne jemi një familje e madhe, që gjithmonë ka vend për këdo që bashkohet. Sot bashkohet Monika, dje ishte Landi, pardje Vikena Kamenica me Iris Luarasin. Para pak ishte Arjola Demiraj, aktorja e famshme. Është vetëm çështje kohe derisa çdo çun, çdo gocë, çdo burrë, çdo grua dhe çdonjeri për së mbari i këtij qyteti t’i bashkohet Partisë Socialiste dhe energjisë së bukur që kemi në Tiranë”, tha ai.