Kreu i ekipit që po drejton testimet e vaksinës së Oksfordit ka thënë se, maskat dhe distancimi social do të nevojiten deri verën e ardhshme. Andreë Pollard paralajmëroi se rregullat e rrepta duhet të ndiqen edhe nëse testimet globale rezultojnë të suksesshme. Eksperti tha se vaksinat e para nuk do të jenë në dispozicion deri vitin e ardhshëm. Sipas tij ato pak që do të dalin, do të jenë vetëm për punonjësit e shëndetit. Ai shpreson që testimet e fazës së tretë të përfundojnë deri në fund të dhjetorit të këtij vitit, por sipas Pollard jeta nuk do të rikthehet kaq shpejt në normalitet.
“Jeta nuk do të kthehet në normalitet deri verën e ardhshme. Mund të na duhen maska ??deri në korrik. Nëse arrijmë të kemi një vaksinë që është efektive në parandalimin e sëmundjes, kjo do të jetë mënyra më e mirë për të kontrolluar virusin. Por, në planin afatmesëm, ne do të kemi nevojë për trajtime më të mira. Kur kthehet jeta në normalitet? Edhe nëse do të kishim mjaftueshëm vaksina për të gjithë, sipas mendimit tim nuk ka gjasa që rregullat, distanca fizike dhe maska të hiqen në një kohë të afërt.
Derisa të kemi një nivel të lartë të imunitetit te popullsia, kur mund të ndalojmë virusin, në mënyrë që njerëzit më të prekshëm të jenë imunë, do të ketë një rrezik. Mbajtja e maskës dhe distancimi shoqëror nuk ndryshojnë. Vetëm kur të bien rastet serioze, qeveritë mund t’i lehtësojnë masat. Ky virus është lehtësisht i transmetueshëm.”- thotë Pollard.
Vaksina e Universitetit të Oksfordit, e prodhuar me gjigantin e ilaçeve AstraZeneca, është një nga nëntë vaksinat në të gjithë botën që kanë arritur testimet e fazës së tretë, faza përfundimtare. Kjo vaksinë shihet si kandidatja kryesore për t’u shpërndarë, sigurisht nëse ia del me sukses deri në fund. Ndërkohë, kryetarja e Task-Forcës së punës për vaksinat në Britani të Madhe, Kate Bingham thotë se, vaksina e Covid-19 do të jetë efektive vetëm 50 për qind. Bingham tha se çdo vaksinë e aftë të imunizojë kundër virusit, do të jetë aq efektive sa ajo e gripit.