Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali ka denoncuar sot gjuhën e presidentit Ilir Meta, nga foltorja e Kuvendit. Ajo akuzoi edhe njerëzit pranë Metës, duke thënë se përdorin gjuhë urrejtje, seksiste dhe mizogjiniste, ndaj grave, kryesisht ndaj saj. Nga foltorja e Parlamentit Spiropali tha sot se vetë ia ka kthyer përgjigjen e merituar Metës, pasi di si të mbrohet, por shtoi se gjuha e përdorur nga Presidenti është një shembull shumë i keq për shqiptarët, sidoemos për gratë.
“Dua të ndalem te diskriminimi gjinor, te gjuha e urrejtjes ndaj grave, te mizogjinia, një gjuhë që e gjen në krye të institucionit të presidentit të republikës”, tha Spiropali.
“Unë jam një grua, një nënë që jam përballur jo pak.”
“Jo vetëm zëdhënësi i tij, jo vetëm grupi i tij, por vetë presidenti i republikës përdor gjuhë urrejtje. Nuk është puna për mua personalisht, unë ua kam kthyer përgjigjen dhe di të mbrohem. Por është shembulli që jep presidenti për të gjithë qytetarët e këtij vendi, që të mos përdorin gjuhën e urrejtjes, gjuhë seksiste”.
Më tej ministrja u shpreh: Çfarë shembulli është ky, si ka mundësi të bjerë në nivele të tilla komunikimi. Kjo s’më përket mua. Unë në ’99 jam larguar nga Shqipëria kur personi në fjalë Ilir Meta dhe kryetarja e LSI vidhnin votat e FRESSH për të vjedhur Shqipërinë, unë kam ikur si ekselente, jo me paratë e babait në Londër. Presidenti nuk mund të thyejë çdo konventë, çdo kod, çdo moral. Të ulet e të lexojë konventat që ka nënshkruar. E kanë nga dëshpërimi”.
Sakaq, në Kuvend, deputetët e opozitës së re, më konkretisht Ralf Gjoni, kërkoi që të ndërmerret sërish nisma për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, dhe në vend të tij të emërohet një grua.