Njësia 4 në kryeqytet ishte ndalesa e radhës e turit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nëpër çdo njësi. Në takimin me stafin e Njësisë Administrative, ai kërkoi mbylljen e procesit të dosjeve të familjeve që kanë humbur shtëpitë në tërmetin e 26 nëntorit, në mënyrë që të gjithë të dëmtuarit të përfshihen në projektin e Rindërtimit.

“I mbyllim dosjet! I marrim vendimet! Po t’i lëmë për vitin tjetër do thonë: Po i bëjnë për fushatë, jo po se kanë interes tani, jo se duan t’i mbajnë njerëzit varur. Ne nuk jemi ai lloj race, nuk mbajmë asnjeri varur. Siç mbyllëm 100% tërmetin e shtatorit, do të mbyllim 100% edhe të nëntorit. Nëse ata kanë gjetur 6 spekulantë në 6000 dosje, do të thotë 1 në 1000; pra, 999 të tjerët janë realisht nevojtarë që po ndihmohen, janë mirënjohës, janë njerëz të drejtë, që e duan rendin, që respektojnë faktin se komuniteti po i ndihmon,” u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë tha se përmes kësaj skeme, unike sa i takon eksperiencave të ngjashme në vende të tjera, ku funksionojnë skemat e sigurimeve, do të ndihmohen të gjithë nevojtarët. Ai siguroi se shtëpitë në pallatet e reja, të projektuara nga Stefano Boeri, arkitekti më i kërkuar sot në Evropë, do të jenë shtëpi me vlerë më të madhe në treg.

Në një takim të zhvilluar me ish-ushtarakë, kryebashkiaku tha se Shqipëria nuk meriton një rikthim të tretë të Sali Berishës në pushtet. “Kur mendoj që ende diskutohet rikthimi për herë të tretë i Saliut, atij që mori në qafë gjyshërit, prindërit tanë, tani edhe brezin tim, të fëmijëve të mi dhe të fëmijëve tanë, më duket një fyerje shumë e madhe”, tha Veliaj, duke shtuar rikthimi i tij shmanget vetëm duke punuar çdo ditë.

Gjithashtu, kryebashkiaku vizitoi edhe punimet që po vijojnë për ndërtimin e një stacioni të ri zjarrfikësesh në Tiranë. Në zonën e Kinostudios ku do të stacionohen tre automjete zjarrfikësesh, ndërsa stacioni do të ketë mjedise të posaçme për trajnimin e stafit dhe ndërgjegjësimin e nxënësve të shkollave.

“Sapo kemi mbyllur stinën e zjarreve, një stinë e jashtëzakonshme me problematika dhe jam shumë krenar për të gjithë ju. Sot dua t’ju uroj sukses 50 zjarrfikësve të rinj, jo vetëm me fjalë, por edhe me një kryevepër! Deri në fund të vitit, ne do kemi zjarrfikëset më moderne në rajon”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë theksoi se ky institucion i ri do të shërbejë edhe si një epiqendër, jo vetëm për shpëtimin e jetës. Gjatë periudhës së tërmetit, por edhe të pandemisë, shërbimi zjarrfikës i kryeqytetit ka përballuar një numër të lartë telefonatash nga kryeqyteti, ndërsa një ndihmë të çmuar ka dhënë edhe në rastet e aksidenteve automobilistike.