Rajonet në Spanjë dhe Itali u janë kthyer izolimeve dhe Irlanda bëri të njëjtën gjë nga dita e sotme, ndërsa vendet në Evropë vazhdojnë të raportojnë shifra rekord infektimesh dhe qeveritë përpiqen të vënë nën kontroll valën e dytë të pandemisë. Rajoni Navarre në Spanjë, ku numri i rasteve për 100 mijë banorë është 945, nga 312 që është në shkallë vendi do të hyjë në izolim nga e enjtja me masa akoma më strikte nga ato të vendosura në Madrid nga qeveria qendrore. Izolimi në dhe përreth kryeqytetit është kthyer tashmë në burim përplasjesh mes qeverisë qendrore dhe asaj rajonale pavarësisht se do të skadojë këtë të shtunë. Por mediat ndërkohë raportojnë se qeveria rajonale po shqyrton mundësinë e futjes në fuqi të një ndalim qarkullimi.

Irlanda ndërkohë është bërë vendi i parë i BE-së që ka kthyer izolimin në shkallë kombëtare, por ka mbajtur shkollat hapur. Masat do të jenë në fuqi për gjashtë javë duke filluar nga mesnata e të mërkurës. Në Itali ndërkohë, Campania në jug i ka kërkuar qeverisë leje për një ndalim qarkullimi gjatë natës, duke filluar nga kjo fundjavë pasi rajoni i Lombardisë mori dritën jeshile për një izolim të ngjashëm nga ora 23 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit nga e enjtja. Zyrtarët lokalë kanë paralajmëruar se sistemet shëndetësore rrezikojnë të arrijnë kapacitetet maksimale shumë shpejt me rajonin e Campania-s që ka vetëm 15 shtretër të lirë në kujdes intensiv. Parlamenti në Poloni ndërkohë shtyu një debat emergjent për rregullat e reja shtrënguese, pasi opozita kërkoi qartësime.

Mjekët kanë kërkuar më shumë mbështetje për sistemin shëndetësor pas raporteve se pacientët po humbin jetën, pasi ambulancat nuk mund të gjejnë një spital për t’i pranuar. Edhe Hungaria po diskuton masa të reja pasi këtë muaj, më shumë hungarezë kanë humbur jetën nga koronavirusi se sa katër muajt e shkuar së bashku. Rusia po ashtu vazhdon të shënojë shifra rekord, ndërsa Gjermania ka vendosur bashkinë bavareze të Berchtesgadener land nën izolim. Greqia ndërkohë ka hequr dorë nga plani për të lejuar një numër të kufizuar spektatorësh në eventet sportive, pasi sipas zyrës së kryeministrit, kjo do të dërgonte një mesazh të gabuar te qytetarët.