Ishte e paimagjinueshme deri dje që Edi Rama do përbënte shkakun e një shpërfytyrimi dramatik të Ilir Metës. Eshtë ndër zhvillimet më cinike kjo në politikën e pas viteve 2000, kur Rama nisi të jetë personazh i saj. I ftuar nga Nano për të qenë pjesë e qeverisjes sociale, Rama pati shpejt një partneritet me Metën, edhe nga fakti se ky i fundit qe kryeministër në kohën kur kryebashkiakut të ri i duheshin fonde për idetë e tij befasuese në shndërrimin estetik fillimisht të Tiranës.

Më pas, u krijua miti, edhe si reaksion i fërkimeve të ashpra mes tyre, se po të jenë bashkë bëjnë punë të mëdha. Ishte bash ky mit që amortizoi goditjen që morri baza socialiste me 1 prill 2103, kur pa që lideri i tyre zëvëndësoi moralin me arithmetikën, duke iu rikthyer aleancës me Metën. Më pas, e shtrirë në kohë, u pa që gjithçka e Ramës ishte një shah, me finale, pasi morri votat e LSI-së për disa reforma të rëndësishme, përfshirë dhe atë në drejtësi, që me “mat” ta nxirrte Metën përfundimisht nga qeverisja. Ndodhi kjo në 2017-ën, dhe Meta, teksa shihte LSI-në e tij jashtë “tepsisë” së pushtetit, llokmave të saj, të qënit president u përkthye dhe ajo si një pjesë e disfatës në shahun e Ramës.

Ndaj dhe, edhe pse me mandatin e kreut të shtetit në xhep, në fushatën e 2107-ës, ai u soll si kreu i LSI-së, fund e krye, pa skrupuj, duke sulmuar madje Bashën më së shumti, pasi projektit të tij për të qenë përgjithnjë në pushtet me atë që merr pushtetin, i kish ardhur fundi. Presidenca ishte asgjë para LSI-së, investimi më i fuqishëm i tij politik, jeta e tij. Dhe kishte ndodhur kjo duke humbur në shah me Ramën, diçka që egoja politike e Metës s’mund ta pranojë.

Ndaj, sinjalet se Meta s’mund të qe një president por një kryetar LSI-je në presidencë, u dhanë që në fushatën e 2017-ës. Aty, mitingjet e LSI dhe fjalëmbatjet e tij kontraverse, të cilat kanë dhe një boshësi bezdisëse kulturore, ishin parathënia e asaj çfarë do vinte më pas, siç dhe erdhi dhe është aktive çdo ditë.

Të gjitha marrëzitë e personazheve kryesore të politikës në tre dekada mund të jenë të përligjshme deri diku; ku nga mungesa e përvojës, ku nga naiviteti, ku nga papjekuria politike, ku nga kultura dhe vizioni i mangët, ku nga dobësia përballë parasë, por nuk ka justifikim që, në krye të 30 viteve, duke zotëruar të gjithë instrumentat për sfida normale politike, Ilir Meta të shpërfytyrojë veten – është i lirë ta bëjë – por më e rënda të përçudnojë presidencën. Çështja se s’dihet se ku e ka limitin, pasi ngjan se nuk ka fare! (Tesheshi)