Mjekja e Infektivit Nevila Gjermeni gjatë një interviste në Report Tv, ka folur për rëndësinë e mbajtjes së maskës nga qytetarët, për të ulur numrin e të infektuarve me koronavirus.
“Maska është një barrierë e rëndësishme për të ulur transmetueshmërinë, për të ulur infektimin dhe kalimin nga një pacient i sëmurë simptomatik apo jo-simptomatik nga pacientë të tjerë. Sigurisht vendosja në ambiente publike ka një impakt të gjerë, ku njerëzit kanë dyndje, kur nuk mund të ruajnë distancimin social, sigurisht kjo është e vetmja mënyrë që na mbron”, tha Gjermeni. Sipas Dr. Gjermenit mbajtja e maskës duhet të kthehet në kulturë dhe të përdoret në përditshmëri.
“Studime të shumta kanë treguar se në vendet si fabrika dhe kompani ku maska ka qenë e detyrueshme maska dhe ku janë respektuar rregullat është parë se edhe ata që janë infektuar kanë qenë forma me një agresivitet më të lehtë të sëmundjes dhe kjo është shumë, për të na detyruar që ta mbajmë maskën, jo vetëm në ambientet publike, por kudo që ne shkojmë apo kemi kontakte gjatë të përditshmes tonë”, u shpreh Gjermeni.