Nga Ardit Rada/
Që prej nisjes së tetorit, Lulzim Basha vijon të mbledhë përditë gazetarët për të përsëritur planin e tij me 5 pika mbi pandeminë. Propozimit të tij ai i ka shtuar edhe akuzat për inceneratorët, rindërtimin pas tërmetit apo taksimet. Por të gjitha këto probleme sociale që Basha ngre si shtylla të fushatës elektorale duket se janë shumë larg sjelljes së aleatit të tij më të madh, LSI-së. Kjo e fundit, edhe pse deklaron se opozita është në koordinim të plotë dhe më e bashkuar se kurrë, në fakt po ndjek një kurs tjetër që më tepër sesa luftë shifrash dhe faktesh, fokusohet në një gjuhë radikale ndaj Edi Ramës. Gjuhë kjo, që shkon deri në ekstrem ku nuk mungojnë as kërcënimet me vrasje, herë të thëna me shaka e hërë duke u cjerrë.
Ndryshe nga Lulzim Basha i cili nuk e vë më “kujën” për 5 Qershorin, Ilir Meta i mëshon fort pretendimit se marrëveshja është shkelur. Madje, në rastin më të parë, Presidenti e cilësoi edhe vetë kreun e PD si të marrë peng. Ajo që shumëkush do ta cilësonte si krisje mes Metës dhe Bashës nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e çiftit presidencial për t’i treguar votuesit opozitar se LSI është e distancuar nga sjellja normale e PD-së në luftën për pushtet. Ilir Meta po jep modelin e një njeriu të ashpër duke u thënë demokratëve se LSI nuk është si Basha që qëndron në xhepin e kostumit të Edi Ramës. Të gjitha këto, Meta i ilustron kur përmend shkarazi se Basha është personi që bëri marrëveshjen e 17 majit të tri viteve më parë, apo lideri që mbush sheshet por nuk e rrëzon dot Ramën.
Pra në thelb, me qëndrimet e tyre Meta dhe Kryemadhi po ofrojnë një alternativë më të egër përballë pushtetit të socialistëve me shpresën se do ta kenë sërish rezultatet e dy zgjedhjeve të fundit, falë votuesve demokratë të zhgënjyer nga eksperienca me Bashën.
Kjo fushatë e fshehtë që LSI bën në kurriz të partive të mëdha nuk është aspak risi për arenën politike. Radikalizimi i saj në prag të zgjedhjeve ka nisur së paku në vitin 2008 kur në rastin e Gërdecit e akuzoi Ramën se i rrahu shpatullat Berishës dhe se veç ajo mund ta çonte para drejtësisë kryeministrin e atëhershëm. E gjithë kjo retorikë bëhej për t’u marrë socialistëve votuesit e zhgënjyer sepse historia tregoi të kundërten. Vetëm një vit më pas, Ilir Meta i “harroi” akuzat ndaj Sali Berishës duke firmosur bashkëqeverisjen me të.
Po ashtu, në vitin 2013, e sapo dalë nga qeveria Berisha, LSI u proklamua si ombrellë për t’u mbrojtur vendet e punës demokratëve në rast të fitores së koalicionit me Ramën. Me gjasë kjo joshje që u bëri një pjese të votuesve të PD solli që LSI ta ruante disi rezultatin e vitit 2013 edhe në zgjedhjet pasuese. Sigurisht duke përdorur edhe marrëveshjen e 17 majit si tregues se Basha është “i butë”.
Edhe sot, LSI e dirigjuar nga Meta nuk nguron ta kompleksojë Bashën. Jo vetëm për atë historinë e ‘pengut’ ku e ftonte që të merrte shembull nga Alija Izetbegoviç, por me të gjithë fushatën e fshehtë që po bën duke e afishuar veten si opozita e vërtetë përballë Ramës.