Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se gara për rrugën Milot-Fier pritet të mbyllet me 28 tetor, nëse nuk do të ketë ankimime.
Balluku gjatë një interviste në media, bëri të ditur se rruga do të ndërtohet me koncesion dhe se buxheti i shtetit ka vendosur një garanci në masën 10% të investimit të koncesionarit.
“Ky koncesion është i bazuar nga pagesat me tra, pra buxheti i shtetit nuk do të angazhohet me fonde, pasi fondet do të mblidhen nga të ardhurat e mbledhura nga automjetet për 35 vitet të ardhshme”, tha ministrja.
Ministrja Balluku e ka cilësuar një investim shumë të rëndësishëm, që prej vitesh qëndronte në dosjet e qeverive shqiptare. “Kishte ardhur momenti që ky projekt, pjesë e konektivitetit të Ballkanit Perëndimor, të bëhej realitet”, deklaroi ajo.
Lidhur me koston e rrugës, e cila llogaritet 1.2 miliardë euro, ministrja Balluku tha se kosto e rrugës justifikohet me by pass-et e shumta dhe me faktin që koncesionari do të ndërtojë jo 56 km, por 115 km, pasi në të dy anët e autostradës do të këtë rrugë alternative, pa pagesë.
“Ky projekt ka brenda nyjen e Rinasit, e cila do të ketë 5 drejtime të ndryshme, do të shkojë mbi aeroport. Ky projekt prej vitesh qëndron në dosjet e qeverive shqiptare, është pjesë e konektivitetit të Ballkanit Perëndimor. Janë kushte të kësaj pakete, me rrugët dhe hekurudhat. Ka një shifër të dalë nga ky studim. Është një projekt i rëndësishëm. Flitet, nga PD, që është rrugë ekzistuese, në Kukës u ndërtuar rruga, u vu trau dhe banorët e zonës s’kishin rrugë alternative. Dhe problem me banorët e zonë ishte se duhet të kalonin traun dhe duhet të paguanin. Të gjitha rrugët me pagesë nga automjetet janë të gjitha që kërkojë rrugë alternative. Kush është rruga alternative në këtë segment?Këtu do të ndërtohet rruga kryesore dhe rrugët alternative që ti ti japësh mundësi drejtuesit të automjetit të zgjedhë rrugën me pagesë apo atë alternative. Koncesionari do të ndërtojë një trase paralele 115 km”, tha Balluku.
E pyetur lidhur me fatin e rrugës Milot-Balldre, ministrja Balluku tha se tashmë kjo rrugë nuk ekziston në buxhetin e vitit 2021, pasi koncesionari nuk i ka plotësuar kushtet kontraktuale.
“Afati i fundit për kontratën ka qenë 2 tetori, ndaj i kemi nisur koncesionarit një shkresë para pak ditësh që të marrë një pozicion sa i përket vazhdimit të afatit, por s’është parashikuar asnjë qindarkë për këtë rrugë në buxhetin e këtij viti”, tha Balluku.
Ministrja bëri të ditur se buxheti për vitin 2021 llogaritet 49 miliardë lekë.
Sipas saj, hapat për projektet e reja janë bazuar në studime jo vetëm për të përmbyllur ciklin e dokumenteve por të shtrira në kohë, me fonde të vëna në dispozicion kryesisht nga Bashkimi Europian.
“Këto studime, kanë nxjerrë në dukje faktin se ka nevojë për infrastrukturë të re qoftë kjo edhe investime të reja në aviacion”, u shpreh ministrja.
Sa i takon investimeve në portin e Durrësit dhe Vlorës, Balluku tha se, “kemi të bëjmë me rialokime të porteve ekzistuese, duke i larguar nga qendrat e qyteteve duke qenë se destiancioni i këtyre qyteteve është ndryshuar duke u kthyer në destinacion turistik, ashtu si edhe për të rritur kapacitetet për t’ju përgjigjur nevojave edhe për një 10-vjeçar”.