Gjermania ka regjistruar më shumë se 50 raste infektimi me COVID-19 për 100 000 banor gjatë një periudhe njëjavore, që do të thotë se, për herë të parë, vendi ka shkelur kufirin e vet kritik për trajtimin e pandemisë. “E ashtuquajtura shkallë e incidencës shtatëditore, e cila përdoret nga autoritetet për të vendosur se kur të shtrëngojnë kufizimet, arriti në 51,1 për të gjithë vendin në mesnatë”, sipas të dhënave të lëshuara nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Sëmundjeve.
Instituti “Robert Koch” raportoi 7 595 raste të reja për një periudhë 24-orëshe, duke e çuar totalin e infektimeve në vend në 380 762. Numri i jetëve të humbura u rrit me 39 në 9 875. Gjermania aktualisht po regjistron më shumë raste ditore COVID-19 sesa në fillim të pandemisë në mars, edhe pse testimi është rritur ndjeshëm që nga ajo kohë.