Heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar, lehtëson barrën fiskale dhe ka impakt në të gjithë ciklin ekonomik dhe është në ndihmë të gjithë atyre që janë në ekonomi familjare të mirëfillta. Kështu deklaroi sot në fjalën e saj në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti, gjatë diskutimit të pr/ ligjit “Për një shtesë në ligjin nr.92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
Gjatë fjalës së saj, Gjylameti theksoi se, “në kuadër të nxitjes së qeverisë shqiptare për reformimin e sportit, me qëllim mbështetjen, nxitjen dhe zhvillimin e sportit, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për sportet është ndërmarrë nisma për të propozuar aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, prej 6%, për shërbimin e punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive, për infrastrukturën sportive”.
“Furnizimi i shërbimit të punimeve të ndërtimit për investimet shtetërore ose për investimet e klubeve/federatave sportive në infrastrukturën sportive, të përcaktuar në legjislacionin e fushës për sportin, të mos trajtohet me shkallën standarde të TVSH-së prej 20%, por të trajtohet me shkallë të reduktuar të saj, prej 6 për qind. Ndërkohë që infrastruktura sportive rregullohet nga dispozitat e ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, tha Gjylameti.
“Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së lejon normalisht, zbritjen e shumës së TVSH-së, së cilës i njihet e drejta e zbritjes, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. Pra, furnizuesit e punimeve të ndërtimit, ndonëse do të llogarisin TVSH–në në shitje prej 6 për qind për punimet e ndërtimit për infrastrukturën sportive, do të zbresin të plotë TVSH-në e paguar prej 20% për blerjen e mallrave dhe shërbimeve në funksion të këtyre punimeve”, tha ajo.