Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias do të vizitojë nesër shtetin e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi për mediat nga ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

“Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Sh. S. Meliza Haradinaj-Stublla pret nesër në vizitë zyrtare homologun e saj grek, Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Sh. T. Nikos Dendias. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, me homologun e saj grek Dendias do te diskutojë për thellimin e bashkepunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Greqisë”, thuhet në njoftim.

Kjo vizitë e ministrit grek është e një rëndësie së veçantë, duke qenë se Greqia është ndër pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. “Megjithatë është shtet që ka treguar konstruktivitet të lartë politik e praktik në mbështetje të Kosovës në rrugën Euro-Atlantik”, shkruan MPJ të Kosovës.