Lazio në Ligën e Kampionëve do të duhet të garojë me Borussia Dortmund, Zenit Shën Petersburg dhe Club Bruges. Ky është verdikti i shortit të djeshëm në Gjenevë. Duke folur për “Lazio Style Radio”, drejtori sportiv, Igli Tare, komentoi: “Grupi është shumë i mirë me shikim të parë. Ekipi ynë mund të luajë me të tre kundërshtarët. Sidoqoftë, duhet thënë se ato janë klube me përvojë në Champions. Borussia Dortmund është një ekip më me përvojë. Në periudhën e fundit, rivalët tanë kanë ndryshuar trajnerët, është një epokë e re për to. Ato luajnë futboll sulmues, japin shfaqje në këtë garë. Kalendari do të llogaritet shumë, e rëndësishme është të jemi gati. Do të na duhet edhe pak fat. Ne e pamë çfarë ndodhi me Atalantën, niveli në Champions është i lartë. Ekipet janë të vështira për t’u trajtuar. Ne, gjithashtu, kemi nevojë për përgjegjësi, kur dimë se duhet ta përfaqësojmë klubin dhe fanellën me krenari. Na pëlqen një sfidë e tillë”.

Analiza mbi kundërshtarët
“Kjo është një përvojë unike edhe për rritjen e ekipit. Ne duhet ta përballojmë me qetësi dhe entuziasëm, mund të na japë shumë. Jemi të lumtur që do të luajmë me më të mirët. Zenit? Ekipi klasik rus: fizik, me disa individualitete. Ka lojtarë si Malcolm, i cili bën diferencën. Dzyuba është një qendër e rëndësishme sulmuese. Ky është informacioni që unë kam. Ata janë akoma ekspertë në Ligën e Kampionëve. Për ne do të jetë një kundërshtar për t’u mposhtur. Brugges? Një ekip që luan futboll të bukur, agresiv, me Vanaken që është lojtari më i mirë në shënim dhe asistim. Ata marrin pjesë në Champions çdo vit, do ta thonë fjalën e tyre në këtë grup”.

Dëshira e Lazio
“Përvoja e Atalantës na mëson. Kur ke një grup të bashkuar, një fizionomi të qartë loje, identitet, mund të ecësh përpara edhe në Ligën e Kampionëve. Atalanta ishte një hap larg gjysmëfinales, mbetet shembulli për t’u ndjekur. Kemi shumë lojtarë që nuk e kanë provuar Ligën e Kampionëve, por mund të mbështeten te përvoja. Skuadra është më e kompletuar se sezonin e kaluar. Tani duhet të shfrytëzojmë më së miri pushimet për të filluar punën me grupin e plotë. Ne duhet të bashkohemi të gjithë për një qëllim”.