Nga Lorenc Vangjeli/

“Skualifikimi është një lloj pushkatimi politik për atë që ikën. Shihni nesër ata që largohen nga listat. Me të gjitha gjasat do t’i shihni në një përqafim pragmatik e hakmarrës me një mullixhi si Edi Rama. Ky akt do të jetë një nga tri-katër gafat e këtij katërvjeçari që rrezikojnë ta lënë sërish PD-në në opozitë”, thotë analisti Lorenc Vangjeli, në një intervistë për gazetën Fjala.

Ai e konsideron procesin si të paplotë dhe një akt të mbetur në tentativë.

“Në thelb, duke pasur parasysh që lista në formë duket e hapur, por çelësin e saj e ka kryetari i partisë, votimi në vetvete është një akt fake, si rënkim
prostitute”, thotë Vangjeli.

Zgjedhjet e anëtarësisë së PD-së për kandidatë për deputetë përfunduan në 12 qarqe të vendit, çfarë treguan këto zgjedhje?

Ky është një akt për t’u lavdëruar. Vendimi i marrë, që t’i japë anëtarësisë mundësinë për të zgjedhur listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, apo të çdo partie tjetër, nëse do të ishte e mundur, është veprimi i duhur e, madje, edhe i vonuar në kohë. Është e vërtetë ajo që thotë zoti Basha, ky është një akt që ndodh për herë të parë në Shqipëri, por edhe në rajon.

Kjo e bën të gjithë procesin më demokratik, më të hapur, më të drejtpërdrejtë. E bën votuesin kësaj here jo vetëm konsumues, por edhe prodhues realitetesh politike, jo vetëm një tifoz, por edhe protagonist. Si rregull, votuesit thirren në apel vetëm në ditën e votimit, kur partia e tyre shkon në pushtet ose në marshet e protestës, kur ajo përfundon në opozitë.

Qoftë dhe këtë standard të dyfishtë hipokrizie dhe raporti në nevojë mes partisë lart dhe militantit poshtë të ketë cenuar PD-ja në këtë mënyrë, do të ishte një shërbesë e dobishme. Por dardhat politike në çdo stinë në Tiranë e kanë bishtin mbrapa. Madje, aq të madh sa fshehin edhe vetë dardhën.

Propozimi Basha për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë duket sikur e hap listën, por çelësin e lë të varur në qafën e kryetarit. Ai skualifikon dhe nuk certifikon. Mohon, por nuk pohon. Duhet të ishte totalisht e kundërta: anëtarësia duhet të përcaktonte hierarkinë. E krijuar sipas parimit të spastrimit, sipas hiles që lutet për mish që piqet, për të shpëtuar hellin, i jep vetë hellit mundësi të strehohet gjetkë.

Jo si mjet shpëtimi e zgjidhjeje, por si mekanizëm ndëshkimi dhe krijues halli. Duke dashur të shpëtojë nga stigma e listës së 2017-s, Basha ka demonstruar pavendosmëri dhe jo lidership. Gjërat që lihen në mes të rrugës janë rrugë që të lënë në mes të katër rrugëve. Bashën ende e ndjek hija e listës qesharake që bëri minutën e fundit në 2017-n. Kështu që ai po mendon për zgjidhjen dhe shfajësimin e vetes, nëse humb dhe jo për krijimin e një mekanizmi fitues.

Baza e PD-së ka larguar ose votuar masivisht kundër disa personazheve si ish-kryebashkiakë apo edhe individë brenda kupolës së PD-së. Çfarë tregon ky fakt dhe si po e lexon votën e anëtarësisë së tij z. Basha?

Skualifikimi është një lloj pushkatimi politik për atë që ikën. Shihni nesër ata që largohen nga listat. Me të gjitha gjasat do ta shihni në një përqafim pragmatik e hakmarrës me një mullixhi si Edi Rama. Ky akt do të jetë një nga tri-katër gafat e këtij katërvjeçari që rrezikojnë ta lënë sërish PD-në në opozitë.

Do të jetë bumerangu që do të kthehet serish në selinë e PD-së, mbasi u hodh drejt mazhorancës dhe bëri një rrugë në çdo qark të vendit. Basha dhe këshilluesit e tij u sollën si ato vajzat e lirshme, që mbasi kalojnë rininë në harbim dhe nisin të plaken, vendosin të ngrysen në manastir, për të predikuar moral për vajzat e lirshme. Le të supozojmë se gara është e ndershme, listat janë normale, se incidentet e raportuara nuk janë reale.

Po e marrim që gjithçka që po ndodh, ka ndodhur në kushte perfekte zgjedhjeje. Edhe pse kjo gjë është e pamundur në një vend si Shqipëria apo për një parti si Partia Demokratike, që kanë më shumë periudha divorci sesa martesa me demokracinë. Ajo që ka prodhuar gara partiake është prova që tregon se një pjesë e madhe e të zgjedhurve në PD, por edhe gjetkë, janë zgjedhje të gabuara.

Zgjedhjet në partitë politike, ekipet e tyre drejtuese, duke nisur nga deputetët, apo me drejtuesit e të gjithave niveleve, në Shqipëri, për fat të keq, janë shndërruar prej vitesh në një pronë të kryetarëve, që kanë krijuar rrethin e tyre, që jo gjithmonë, jo si përjashtim, por si rregull, ka qenë i gabuar. Në Shqipëri ka vite që është vrarë gara, është vrarë rrjedha normale e karrierës.

Kjo nuk është e vërtetë vetëm për politikën, por për gjithçka. Sot mund të gdhihesh i varfër e të ngrysesh biznesmen, mund të ngrysesh analfabet dhe mund të zgjohesh drejtues i lartë në Ministrinë e Arsimit. Mund të jesh budalla i padobishëm dhe mund të jesh një nga 140 gra dhe burra që vendosin për fatet e këtij vendi. Mund të jesh një njeri i cili meriton prangat në kuptimin direkt të fjalës dhe të kesh qenë gkykatës apo prokuror.

Ka ndodhur shumë shpesh që gjykatësi të ishte më bandit se i mjeri që kishte për gjykim përballë. Duke iu thënë këtë skicë se çfarë po ndodh prej vitesh në këtë vend, po ju them se Partia Demokratike nuk bën përjashtim. Është pjesë e kësaj lige që na ka mbërthyer prej fyti. Votimi i anëtarësisë është një lakmues që tregon thellësinë dhe gjerësinë e këtij realisteti.

Tregon që në Shqipëri, së paku nuk kemi të bëjmë me politikanë, por kemi të bëjmë me ata që mund të quhen nëpunës në politikë, që paguhen për këtë gjë por që nuk ia kanë haberin kësaj pune. U bë shumë zhurmë kohë më parë për praninë e zotit Berisha në listë. Po të kihen parasysh kriteret që vetë PD-ja kishte shpallur për përpilimin e listës, ky ishte një diskutim që as duhej të bëhej. Por në të kundërt, u bë me shumë ligësi dhe hipokrizi. Sepse të githë e dinë që është më mirë origjinali sesa kopja e keqe. Se është më mirë Saliu se Salianji.

Një nga fenomenet e zgjedhjeve të vitit 2017 ishte pjesëmarrja e ulët në votime e simpatizantëve të Partisë Demokratike, ndërsa aktualisht kemi një pjesëmarrje të lartë të anëtarësisë në përgjedhjen e kandidatëve, në një masë mbi 65%. A është ky një tregues për ndryshime në linjën drejtuese të Bashës?

Nuk mund të bëhet një krahasim. Jemi në kohë të ndryshme, rrethana të ndryshme, procese totalisht të ndryshme. Mund të pish pa problem një litër ujë në pak minuta, dhe nuk të gjen asnjë gjë, por mund të pish edhe whisky në pak minuta dhe të kesh pasoja të tjera. Jua them këtë edhe në momentin që supozohet, Siç ju thashë edhe më parë, që zgjdhjet të jenë bërë në kushte laboratorike.

Ndaj nuk mund të themi se ky 65% është i saktë, askush nuk mund të thotë se listat ishin të tilla, askush nuk mund të thotë se nuk ka pasur ndikime nga jashtë, sikundër është raportuar herë pas here nga media. Duhet tentuar t’i qëndrohet larg gjykimit mbi këtë pikë, sepse në thelb ky është një proces që duhet duartrokitur, por nuk shkon deri në fund. Akti ka mbetur në tentativë. Në thelb, duke pasur parasysh që lista në formë duket e hapur, por çelësin e saj e ka kryetari i partisë, votimi në vetvete është një akt fake, si rënkim pro stitute.