1 miliard lekë është fatura financiare nga buxheti i shtetit që financon kompensimin e taksave që bëhen 0, për skemën e naftës falas për bujqësinë.

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar gjatë një interviste televizive e cilësoi vendimin të rëndësishëm heqjen e akcizës së naftës për fermerët, që sipas tij do të ndikojë pozitivisht për sektorët e zinxhirit ushqimor.

“Heqja e akcizës ndikon shumë pozitivisht. Fakti që kjo skemë është promovuar tashmë dhe unë po diskutoj dhe flas me bindjen që tashmë është një vendim i marrë pavarësisht se nuk ka një gjë të shkruar por fakti që Kryeministri e deklaroi, do të thotë që është marrë si vendim. Ndryshon tashmë nga programet e tjera, sepse nga informacioni që unë kam për 2021 është planifikuar buxheti për këtë skemë për ta mbështetur këtë me 1 miliard lekë. Është duke punuar një grup pune që kërkon të gjejë modelin më të mirë për ta realizuar dhe unë mendoj se kjo skemë dhe kjo masë që po merret tashmë është një masë e shumëpritur nga fermerët. Sepse të gjitha vendet e rajonit e kanë këtë masë, e japin çmimin të reduktuar të naftës për të gjithë zinxhirin ushqimor dhe kjo ndikon mjaft pozitivisht veçanërisht për Shqipërinë”.

Nga 1 janari fermeri do të paguajë një litër naftë vetëm 79.6 lekë, ndërsa i hiqet barra fiskale prej 80.4 lekë për litër.