Prej disa ditësh politika, qytetarët dhe mediat në Shqipëri ziejnë nga debati që ka shkaktuar dhënia e shtetësive dhe deklaratave pa kriter nga ana e presidentit Ilir Meta, por edhe nga rihapja e gjyqit të Izet Haxhisë. Të shumtë janë ata që kanë dalë kundër presidentit Meta, ndërsa ka dhe nga ata që e mbështesin strategjinë e tij që po konsumon nën kostumin e kreut të shtetit. Por në lidhje me këto çështje dje ka reaguar edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” u shpreh se i bëri thirrje Metës që të kursehet në dhënien e dekoratave, pasi sipas tij, në rast se vijohet me këto ritme po kthehen gjithë qytetarët shqiptarë në “Nderi i Kombit”, duke ua humbur vlerën atyre. “Sa i takon çështjes së dhënies së dekoratave, presidentë të ndryshëm kanë pasur qasje dhe kritere të ndryshme për dhënien e dekoratave. Natyrisht Presidenti Rexhep Mejdani që e kam ndjekur nga afër dhe e kam njohur ka qenë shumë dorështrënguar në dhënien e dekoratave. Opinion im ka qenë që në qoftë se dekoratat do të jepen pa kriter, ato do e humbin vlerën. Dhe unë i kam dhënë të drejtë. Kështu që dekoratat nuk duhet të lëshohen kështu siç po i lëshon Iliri se po u bënë të gjithë me dekoratat, nuk ka vlerë më ajo. Nuk shkon që ta bëjmë gjithë popullin “Nderi i Kombit”. Nga ana tjetër edhe përsëritja e dekoratave si për shembull “Heroi i Popullit” që në kuadrin shqiptar është vlera më e madhe, është e paarsyeshme. Pra, përsëritja e dekoratave për një person që është shpallur “Heroi i Popullit” më duket absurde”, deklaroi ai për gazetën “SOT”.

Meta, po jep dekorata e shtetësi pa kriter

Duke komentuar më tej debatin për dekoratat dhe shtetësisë, ish-kreu i SHISH, fatos Klosi u shpreh se presidenti Ilir Meta duhet të jetë më i kujdesshëm në dhënien e tyre, pasi lëshimi kuturu lë një shije të keqe. Sipas zotit Klosi, presidenti Meta është i “dënuar” të mos i shkelë atributet që i lejojnë atij t’i japë në raste të veçanta shtetësitë shqiptare. “E kam dëgjuar nga media këtë lajmin dhe debatin e shtetësive të dhëna nga Presidenti i Republikës, por nuk e di sa ka anashkaluar kompetencat Iliri. Por të ndalemi tek pyetja juaj, problemi është që mirë është që shtetësitë shqiptare të jepen pa kriter, ky është kriter. Problemi është që presidenti i vendit dhe të gjithë ata që kanë kompetenca të mos shkojnë përtej kompetencave që kanë dhe pastaj bëhet baltë problemi. Sa i takon sigurisë kombëtare nuk besoj se ajo cenohet, duke iu dhënë disa vetë shtetësi shqiptare. Por e ritheksoj se Presidenti i Republikës nuk duhet t’i shkelë normat dhe kriteret që i lejojnë atij t’i japë në rastet e jashtëzakonshme shtetësisë shqiptare. Meta duhet të jetë i kujdesshëm”, u shpreh ai për gazetën “SOT”.

Klosi: S’kompleksohem të dëshmoj në gjyqin e Haxhisë

Sa u takon zërave se Izet Haxhia është tërhequr dhe mund të mos e thërresë zotin Fatos Klosi si dëshmitar në gjyqin ndaj tij që tanimë është rihapur, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi theksoi se ai nuk e ka problem që të dëshmojë dhe nuk kompleksohet nga kjo gjë, duke shtuar se është i gatshëm të dëshmojë ato që di mbi vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. “Shiko edhe po të më thërriste gjykata në gjyqin e Izet Haxhisë unë do të shkoja dhe do të dëshmoja ato thërrime që kamë thënë gjithmonë për vrasjen e Azem Hajdarit. Pra unë do të shkoj të dëshmoj dhe të them ato që di dhe që ka pasur dijeni SHISH i asaj kohe kur unë drejtoja këtë institucion. Kështu që unë nuk e kam kompleks si Sali Berisha që të dëshmojë në gjykatë dhe prokurori, pavarësisht lajmit që Izeti ka vendosur të mos më thërrasë mua si dëshmitar. Si përfundim unë di mbi vrasjen e Azem Hajdarit të gjitha ato që dinte SHIK-u dhe që ua kemi çuar me shkresa të gjitha institucioneve”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.