Megjithëse ende plehrat janë nëpër rrugë, përrenj dhe lumenj, media vazhdon të flasë për sagën ose serialin “incenerator”, thua sikur nga oxhaku i tyre dalin shtëllungat e Coronavirusit. Këta që i fryjnë fyellit as që e kanë idenë se Shqipëria është shëmtuar dhe helmuar për 30 vite rresht nga plehrat. Qytetarët, përfaqësuesit e komuniteteve, institucionet e gjithë shoqëria për 3 dekada nuk arriti të kuptonte dhe të ndahej nga plehrat: ne që votuam e zgjodhëm përfaqësuesit tanë, nuk ju kërkuam atyre të na largonin plehrat, nga lagja ose fshati; ata që na përfaqësuan, për tre dekada nuk u kujtuan të pastronin Shqipërinë, qytetin apo fshatin nga plehrat.
Ne Shqiptarët nuk e kemi kuptuar se bashkë me plehrat gjirizën mikrobet e që vijnë bashkë me insektet nga dritaria në shtëpinë tonë, janë po ato mikrobe që tmerruan dhe morën jetën e miliona europianëve për shekuj me radhë, “murtaja, kolera, turbekulozi” dhe shumë sëmundje të tjera. Ndaj të huajt tmerrohen kur shohin plehra në Shqipëri. Ne Shqiptarët nuk e kemi kuptuar se plehrat që hedhim në lumë helmojnë burimet e ujit dhe vijë nëpërmjet ujësjellësit në rubinetin e shtëpive tona. Ndaj të huajt çuditen kur shohin plehrat nëpër fushat, përrenjtë dhe lumenjtë tanë.
Ne Shqiptarët nuk e kuptojmë se “kimikatet” që janë pjesë e plehrave ndotin, token, ujin, ushqimet dhe depozitohen ditë pas dite në trupin tonë, gradualisht deri sa e keqa të godasë rëndë shëndetin e të dashurve tanë. Ndaj turistët, nuk tolerojnë i plehrat aty ku shkojnë. Ne Shqiptarët nuk kuptojmë, sepse plehrat vrasin ngadalë dhe pa zhurmë, sepse duhen muaj ose shumë vite për të kuptuar efektet e rënda shëndetësore siç janë sëmundjet e pashërueshme: alergji, astma, sëmundje lëkure, sterilitet e deri tek mutacionet dhe sëmundjet kancerogjene, etj., etj. Ndaj ne Shqiptarët duhet të kemi frikë nga plehrat. Inceneratorët janë bërë si përralla e gjyshes me gogolin, rrini rehat, mbajini plehrat në shtëpi ose hidhini ku të doni, sepse ju sjellim “gogol inceneratorin”. Askush nuk flet për teknologjinë e inceneratorëve ose mënyrën se si ata duhet të funksionojnë. Ndërkohë prej dekadash në mes të Vjenës, plehrat digjen në një incenerator duke mbajtur të pastër, ngrohur dhe ndriçuar gjatë dimrit qytetin e Mozartit.