Rindërtimi i konviktit të shkollës së mesme profesionale në Golem të Kavajës “Harry Fultz” vijon me intensitet të lartë, me qëllim për të pritur nxënësit brenda fundit të këtij viti.

I dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, konvikti i shkollës së mesme profesionale “Harry Fultz” në Kavajë u vlerësua me rrezikshmëri të lartë dhe për këtë arsye u vendos shembja e tij, për t’i hapur rrugë rindërtimit, që po realizohet nga Fondi Shqiptarë i Zhvillimit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ka vëzhguar nga afër ecurinë e punimeve, teksa banorët e zonës dhe nxënës të shkollës së mesme profesionale shprehen entuziast për ecurinë e punimeve.

“Një nga problemet që ka pasur shkolla e mesme e Golemit ka qenë edhe konvikti. Megjithëse ai është ribërë, problemi i saj është se me rënien e tërmetit pësoi një çarje shumë të thellë nga kati i tretë deri tek kati i dytë dhe ishte shumë i rrezikshëm. Me vendimet që ka marrë qeveria dhe me mundësitë që i janë krijuar shkollës, megjithëse shkolla mesme është bërë shkollë e re, s’ka dy vite që është ndërtuar, besoj se i plotëson të gjitha standardet që ka një shkollë normale me konvikt. Shohim një ndërtim cilësor sepse nga pikëpamja e parametrave të paktën për sa i përket tërmetit ka një investim goxha kolosal me atë që jemi mësuar ne si si qytetarë të shohim dhe me atë që kemi parë tani. E kemi ndjekur nga themelet dhe aty është bërë një investim goxha kolosal të them të drejtën. Kur të mbaroj do dali diçka shumë e bukur. Për ne është një lajm shumë i mirë. Konvikti na pëlqen shumë se do jetë siç ka qenë, dykatësh, do bëhet me kushte moderne. Shumë mirë që po ndërtohet. Po ndërtohet me kushte të mira “,- u shprehën banorët e zonës për ATSH-në.

“Është një konvikt modern që po ndërtohet për shkollën tonë. Shumë lajm i mirë edhe për rrethin. Nxënësit mund të jetojnë shumë mirë. Shumë lajm i mirë që po ndërtohet konvikti dhe do jetë një mundësi e mirë për nxënësit e shkollës sonë”,- thanë nxënës e shkollës së mesme profesionale “Harry Fultz”.

Elvis Pisku, inxhinieri i zbatimit u shpreh se struktura e re që pritet të jetë gati brenda fundit të vitit do jetë dykatëshe dhe do mirëpres 50 studentë.

“Ky është një projekt i Fondit Shqiptarë të Zhvillimit për rindërtimin e konviktit të shkollës së mesme profesionale, që u shkatërruar pas tërmetit të 26 nëntorit. Ky konvikt ka si ambiente ndërtimi rreth 1 600 metra katror ndërtim dhe 6 000 metra katror janë sipërfaqe të përbashkëta, fusha sporti, ambiente relaksuese…etj. Në këtë konvikt do akomodohen rreth 50 studentë, nga të cilët 30 meshkuj dhe 20 femra. Në katin e dytë do të jenë ambientet e akomodimit dhe hoteleria. Në katin e parë janë ambientet e shërbimit, bibliotekë, mensë, ambiente studimi etj”,- tha Pisku për ATSH-në.

“Parashikohet që ky projekt të mbyllet rreth fundit të vitit, siç e kemi në projekt dhe në leje. Dhe gjithashtu kemi zbatuar të gjitha kushtet teknike për efikasitetin maksimal për ruajtjen e energjisë, termoizolimit me panele diellore me të gjitha kushtet dhe standardet europiane”,- u shpreh Pisku për ATSH-në.

Në bashkinë e Kavajës në kuadër të procesit të Rindërtimit janë tre institucione arsimore të cilat pritet të vihen në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve të zonës brenda fundit të vitit, shkolla e mesme profesionale “26 Marsi”, shkolla e bashkuar “Shtrodhe” dhe konvikti i shkollës profesionale “Harry Fultz”, në Golem. Të gjitha këto struktura u dëmtuan në mënyrë të pariparueshme nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe tashmë por rindërtohen nga Fondi Shqiptarë i Zhvillimit dhe synimi është që këto institucione të çelin dyert brenda fundit të vitit për nxënësit.