Pas mesazhit të fortë të Ambasadës Amerikane për të vazhduar me profesionalizëm dhe përkushtim procesin e vettingut, ka ardhur reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjanit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Manjani shkruan se vettingu është selektiv dhe sfidon SHBA për këtë proces, teksa nuk kursen edhe akuzat.

Postimi i plotë i Manjanit:

“…..nëpërmjet vëzhguesit tonë ndërkombëtar, ne sigurohemi që organet e vetingut të respektojnë ligjin” – deklaron Ambasadorja e SHBA në Shqipëri.
==========

Tani ose nuk kanë parë gjë dhe deklarata është e gënjeshtërt, ose deklarata është e vërtetë dhe SHBA nëpërmjet ambasadës së saj, djallosi vettingun, gjykatat e sistemin drejtësisë në këtë vend.

Pyetja që kërkon përgjigje është:

Si ka mundësi që gjykatës e prokurorë të ndershëm e profesionistë përjashtohen dhe, për shumë më tepër arsye gjykatës e prokurorë të afiliuar politikisht kalojnë vetting-un?!

Nëse pavarësisht këtij konstatimi SHBA janë “të lumtura” me këtë vetting selektiv, atëherë o nuk e paskemi njohur SHBA, ose kjo e fundit keqpërfaqësohet në këtë pjesë të botës.

Nejse, mbetem i bindur se reforma ka nevojë për korrektime, ndryshime e plotësime të domosdoshme. Dhe për këtë nuk mund të marrim leje në asnjë ambasadë. Siç nuk u mor leje për reformën zgjedhore dhe asgjë nuk ndodhi… Kemi nevojë për Republikën e Shqipërisë jo për Republikën e ambasadorëve.