Nga Irsa Ruçi/
Për të gjithë ithtarët e flaktë të idealizmit, të cilët u fyen në naivitetin e pyetjes retorike të shtruar pa të keq në filtrat e opinionit publik “Ja iku Rama, po kush do vijë?”, mund ta shtrojmë analizën në një tjetër formë, duke u përqendruar tel kandidati tjetër që pretendon postin e Kryeministrit dhe të përfillim qasjen: “Ja erdhi Basha, po çfarë do bëjë?” Është e nevojshme ta shqyrtojmë këtë alternativë, jo vetëm për të bërë diferencën mes dy liderëve kryesorë në vend, por edhe për të krijuar një panoramë më të gjerë e më të qartë të realitetit tonë politik.
Së pari, këto shtatë vite, z. Rama ka qenë në detyrë dhe pranë halleve të njerëzve, duke i parë nga afër të gjitha shqetësimet dhe problematikat. Ka qeverisur mirë apo jo, a e ka bërë detyrën në përputhje me pritshmërinë e shqiptarëve, këtë do e rrëfejë historia dhe do jetë koha që do i dhurojë mënyrën e kujtesës së emrit në gjurmët e këtij vendi. Realiteti është që Kryeministri aktual njeh terrenin, e di symbyllazi fushën e peripecive njerëzore dhe ka krijuar habitatin e nevojshëm që të gjendet rrugëzgjidhja për çështje të cilat kanë sorollatur njerëzit poshtë e përpjetë për 30 vjet. Pra, ka shtruar rrugën që këtë katër vjeçar të gjitha mundimet e shumëvitshme të shqiptarëve të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Nga ana tjetër, z. Basha kërkon një karrige qyl, duke pritur një performancë të dobët të qeverisë për të fituar pikë. Pushteti nuk lidhet me dobësinë e kundërshtarit, por me vizionin që ofron dhe frymëzimin që ngjall tek populli. Deri tani, për këtë opsion lideri opozitës vlerësohet me notën 4, ngel në klasë. Sepse për shtatë vite nuk ka bërë as detyrat më elementare, të njohë elektoratin, të prezantohet me problemet e njerëzve, tu gjendet afër dhe të japë kontributin real për zgjidhjen e punëve konkrete, etj.
PD-ja nuk ka ofruar asnjë ekspertizë që tu shërbejë njerëzve këto shtatë vite. Për çfarë e do tani pushtetin? Të flenë nga karriget e zyrave, ashtu si për vite me radhë përgjumen në selinë e tyre të humbur e pajetë, që nuk ka prodhuar absolutisht asgjë, veç ca gjelave të ngrefosur që hyjnë e dalin nga dera e mykur, duke kujtuar kohën kur kapardiseshin makinave luksoze në emër të pushtetit? Çfarë do ofrojë lideri i opozitës në këto katër vite qeverisje? Dhe kjo është një pyetje shumë serioze, sepse lidhet me fatet e këtij vendi, jo me të rënë shansi i “rrota – rrota – rrotacionit.” E ardhmja e këtij vendi nuk mund dhe nuk i duhet lënë fatit, sepse nuk e kemi luksin e kohës dhe pritjes. Kemi humbur aq shumë “duke provuar” dhe kemi jetuar me shijen e hidhur të humbjes së mundësive për dekada me radhë.
Kur z. Basha nuk ka asnjë plan konkretisht, kur drejton një parti bosh dhe ende të pa strukturuar (përderisa kanë nisur reformimin e brendshëm dhe janë ende në një luftë pushteti nga brenda), çfarë do bëjë në këtë mandat qeverisës? Do dredhë zinxhirin e do vazhdojë punët e bëra çorap për 10 vite që kishte pushtet? “Hajde e provojmë dhe këtë” është motoja e atyre që i mbajnë pishtarin e humbjes, si e vetmja alternativë që shohin se mund t’i hyjë në punë për të ardhur në pushtet. Po çfarë t’i provojmë më shumë, kur e hëngrëm 10 vjet çorbën që gatuam vetë nga dëshira për të provuar një alternativë të re; dhe na dhemb ende stomaku. Kujtesa jonë nuk duhet të jetë aq e shkurtër, sa për të harruar urrejtjen që PD dhe LSI mbollën në zemrat tona për tetë vite kur qeverisën bashkë. Ne që duam të ardhmen e Shqipërisë, nuk mund ta kthejmë vendin një dekadë pas, për tu lënë sërish fuqi në dorë atyre që bënë pazare në emër të Shqipërisë.
PD do kthejë sërish LSI-në e bërë lesh e li në pushtet dhe do fillojnë sërish të hanë çorbën prej kusisë që lanë përgjysmë prej tetë vite qeverisje së bashku dhe që tani besojnë se nuk ja paskan nxjerrë tamam fundin, se ka mbetur ende cinga që duhet ta kruajnë këto katër vite. E merrni dot me mend se çfarë kostoje do jetë për shtetin të kthejnë sërish “xhunglën” institucionale, ku më i forti fiton dhe më i pafuqishmi nuk ka zë as të kërkojë? Nuk është e drejtë të vëmë në kandarin e barazisë një lider që ka shtatë vjet në punë, me një lider që shtatë vjet ka ndjekur ulur nga kolltuku i shtëpisë çfarë ka ndodhur me këtë vend, pa u tundur nga vendi, pa bërë një përçapje; duke braktisur shqiptarët në momentet më të vështira dhe më tragjike që kaluam.
Epo, për Shqipërinë dhe idealin e këtij vendi nuk mund të mendosh vetëm pasi merr pushtetin. Shqiptarët nuk duhen vetëm pasi të të japin votën, e për aq kohë sa nuk të kanë votuar, t’u hakmerresh me indiferencë dhe moskokëçarje! Nuk funksionon kështu politika dhe qeverisja. Aq më tepër që shqiptarët e kanë të shenjtë “dorën mbi sup” kur u rëndon vuajtja në shtëpi. Z. Basha vetë nuk duhet ta pranojë të marrë pushtetin qyl, pa qenë i përgatitur, vetëm se i ka hipur në qejf karrigia e kryeministrit, meqë ka provuar çdo funksion tjetër më parë, duke drejtuar tre ministri dhe më pas bashkinë më të madhe, atë të Tiranës. A mund të kërkojmë të vëmë në kandar njeriun e punës, që ndoshta ka ngjallur dhe doza pakënaqësie, sepse njerëzit i besojnë dhe kanë pritshmëri të lartë prej tij, që ndoshta nuk i ka përmbushur 100%, por ka vullnetin t’i përmbushë dhe ato që kanë mbetur; ndaj e kërkon dhe një mandat për ta përfunduar çdo projekt të nisur që është në dobi të shqiptarëve, me dikë që e ka parë Shqipërinë gjithmonë nga jashtë dhe si një i huaj që kurrë nuk arriti t’i jepte shpirtin këtij vendi?
Besoj se ardhja e Partisë Demokratike pas gjashtë muajve në pushtet, në kushtet kur ende nuk është definuar si parti në strukturimin e brendshëm dhe gjenden në kushtet kur po ri gjejnë veten; kur nuk kanë një plan të qartë për mënyrën si do qeverisin, kur alternativë të vetme kanë të ri sjellin ikjen e tyre të shëmtuar që i erdhi në majë të hundës çdo shqiptari dhe mori urrejtjen e furishme të një milion votave kundër, është rrezik që cenon zhvillimin e vendit, të ardhmen dhe synon ta zhysë Shqipërinë në një varfëri ekstreme. Z. Basha nuk i del dot për zot këtij vendi, të paktën këto katër vite jo. Sepse fillimisht duhet të njihet me terrenin politik dhe njerëzor; e pasi ta njohë duhet të krijojë një platformë partiake me të cilën të luftojë për katër vite. Nëse shqiptarët do e pranojnë atë platformë dhe do e ndjejnë familjare, atëherë mund të pretendojë pushtetin.
Z. Basha, karrigen që ta dha qyl ish kryeministri Berisha, mos e prit të ta japë qyl edhe Kryeministri Rama! Që ta marrësh, duhet të luftosh dhe fitosh betejën tënde, jo të vendosësh çimkat që të ngjallin dëshpërim tek populli. Nuk merret pushteti duke krijuar anti shtetin përmes llogorove të portaleve të mbira si kërpudhat pas shiut, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve.