Juventus është duke pritur testin e fundit të Cristiano Ronaldon për Covid-19, ndërsa Leonardo Bonucci është stërvitur i veçuar nga pjesa tjetër e grupit, para takimit me Barcelonën në Ligën e Kampionëve të mërkurën. Trajneri Andrea Pirlo ka probleme të mëdha në mbrojtje para ndeshjes kundër Barcelonës, ndërsa mediat italiane sugjerojnë që Weston McKennie mund të luajë titullar.

Por Bonucci, i cili pësoi një lëndim muskulor në ndeshjen kundër Hellas Veronës në Serie A në fundjavë, nuk ka stërvitur sot me grupin por në mënyre individuale. Dje, bardhezinjtë treguan se qendërmbrojtësi nuk ka ndonjë problem serioz në muskul, por është në dyshim për ndeshjen kundër gjigantit spanjoll. Ronaldo është duke pritur rezultatet e testit për COVID-19, për një përballje të mundshme më Lionel Messin në Allianz Stadium.

Ylli portugez, i cili ka rezultuar pozitiv që nga ndeshjet me kombëtaren, duhet të rezultojë negativ në testin e fundit para ndeshjes që të grumbullohet me skuadrën.
Ai nuk ka qenë në stërvitje me ekipin që një kohë të gjatë, gjithashtu edhe kapiteni Giorgio Chiellini ka munguar. Matthijas de Ligt është stërvitur së bashku me pjesën tjetër të skuadrës, por Pirlo është ende duke pritur “dritën e gjelbër” nga stafi mjekësor.

Juventusi do të përballet me Barcelonën nesër me fillim nga ora 21:00 në kuadër të Ligës së Kampionëve, që të dy ekipet janë pjesw e grupit G. Të dyja skuadrat kanë arritur të triumfojnë në ndeshjet e para në Ligën e Kampionëve, bardhezinjtë kundër Dinamos së Kievit, ndërsa Blaugranasit kundër Ferencvarosit.