Nga Alfred Peza
Për propogandën opozitare, çfarëdo që të ndodhi këto ditë, nuk ka temë më të rëndësishme për të diskutuar sesa ajo e krijimit të partive të reja në anën e djathtë e spektrit politik shqiptar. Pavarësisht se shumë nga mitet e rreme të krijuara rreth tyre, kanë nisur që të qartësohen, ajo që mbetet është frika se era e tyre do u mohojë fitoren më 25 prill. Vetëm dy forca politike mbeten të pashqetësuara nga krijimi i realiteteve të reja politike, gjatë këtyre javëve apo muajve të fundit, përpara fushatës së re elektorale: PS dhe LSI. Përsa i përket të parës, kjo është e kuptueshme, sepse Edi Rama me koshiencë e ka vendosur vetën dhe forcën politike që drejton, kundër të gjitha partive të tjera në qarkullim. Duke patur aleat të vetëm në gjithë këtë histori, qytetarët shqiptarë. Votuesit. Zgjedhësit. Sovranin.
Ndërsa LSI duket e pashqetësuar, madje duket sikur po lumturohet nga klima e re politike e krijuar në opozitë, për shkaqe të kundërta. Mbi të gjitha, sepse lindjen e partive të Jozefina Topallit, Myslym Murrizit, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit dhe të të tjerëve që pritet sëshpejti, duket se i sheh si një mundësi të artë për mbijetesë pas 2021. Për aq kohë sa partitë e reja, për shkak të profilit të liderëve të tyre, kanë më shumë gjasë që të marin vota të djathta dhe nga PD. Kjo është një nga shkaqet se përse brendapërbrenda Partisë Demokratike dhe “Opozitës së Bashkuar”, ndjehen të trembur, për shanset e shtuara të humbjes së radhës që i pret. Por arsyeja kryesore, është diçka tjetër, akoma edhe më e madhe. Në kushtet kur Lulzim Basha nuk ia doli që të bashkojë të djathtën në veçanti dhe opozitën në përgjithësi përballë Edi Ramës, kuptohet se ai ka një problem shumë të madh si lider i tyre.
Thelbin e tij, e “preku” paksa në seancën e fundit plenare në Parlament, Kryeministri. I cili e cilësoi Lulzim Bashën, si një lider që ka një projekt biologjik, për rikthimin e opozitës në pushtet. Që do të thotë se Kryetari i PD nuk ka një projekt politik. Nuk ka një projekt elektoral. Nuk ka një program qeverisës për të ardhmen e vendit. Nuk ka një alternativë të re, ndryshe nga ajo aktualja që mishërohet tek mazhoranca socialiste. Për rrjedhojë Lulzim Bashës i mungon ai dimension që i bën të gjithë liderët e së ardhmes, që të frymëzojnë masat. Të krijojë frymën e ndryshimit të madh që e pret popullin e tij në zgjedhjet e ardhshme. Në pamundësi që të kenë mbi krye një njeri që e përgatit të ardhmen të vijë, një lider që e bën ndryshimin motorrin e madh të brendshëm të frymëzimit të të gjithëve drejt pushtetit, opozitarët tanë e kanë bërë llogarinë mbi pritshmëritë e tyre për Lulzim Bashën.
E shumta që ofron Kryetari i Partisë Demokratike, është pritshmëria se herët ose vonë, për një arsye apo një tjetër, Edi Rama në mos sot, nesër do të iki një ditë nga pushteti. Ndaj edhe Lulzim Basha nuk ka pse të lodhet. Pse të udhëheqë opozitarët përmes kauzash të forta dhe të mëdha, në përballjen me mazhorancën. Me pushtetin. Me qeverinë. Përmes ngritjes peshë të zemrës, mendjes dhe ndjenjave të popullit opozitar, përballë qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Të dielën e votimit, mbushen plot dy vjet që opozitarët tanë nuk janë thirrur në asnjë protestë kundër mazhorancës. Opozitarët tanë nuk kanë në dorë, as tani kur duhen edhe 5 muaj për të shkuar drejt kutive të votimit, asnjë program për qeverisjen e së ardhmes. Ata kanë në krye një njeri që është bërë simboli i dembelizmit, i gjumit letargjik, i pritjes që fruti i pushtetit të këputet vetë nga pema për të rënë direkt e në gojën e Lulzim Bashës, që e pret me duart dhe sytë lart nga qielli.
Duke patur përballë PS, partinë politike më të madhe, më moderne e më të organizuar në vend, opozitarët nuk po mallokojnë këto ditë thjeshtë dhe vetëm partitë e reja. As Jozefina Topallin, Myslym Murrizin, Astrit Patozin dhe Rudina Hajdarin. Por fatin e tyre të keq, që u ra të kishin për pjesë një lider si Lulzim Basha. Kjo është arsyeja se përse ndjehen kaq të trembur. Partitë e reja më shumë se u mohojnë fitoren në pranverën e ardhshme, po i bëjnë të kuptojnë që tani në vjeshtë, humbjen e madhe që i pret!