Kryeministri Edi Rama u ndal sot te kantieret e infrastrukturës në gjithë vendin, që sipas tij, para së gjithash do të krijojnë punësim. Në prezantimin e kantierit të parë për një nga lagjet e reja të Tiranës, Kryeministri Rama siguroi se “do të përballemi edhe me nevojën që ka Tirana dhe Durrësi dhe të gjitha zonat për t’u ndarë përfundimisht nga epoka e kodrave me plehra si bashkëudhëtare dhe bashkëjetuese e përditshme e jetës publike e sociale të kujtdo që sa del nga shtëpia ka dekada që i ka plehrat pjesë të peizazhit”.

Duke folur për investimet në infrastrukturë, Rama tha se “një kantier shumë kompleks inxhinierik punon ditë natë në hyrje të Tiranës aty ku ata u mjaftuan të merrnin Shqiponjën nga leku dhe ta vendosnin pllakë aty”. ” E para dhe e fundit skulpturë pllakë që kam parë, sepse për këta nuk ka lidhje fare as e bukura, as e pastra dhe as e rregullta. Këta janë forca të shëmtimit, papastërtisë dhe rrëmujës”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “edhe në unazën e Tiranës vazhdon puna intensivisht”.

“Ne patjetër që do të hapim kantierin më të madh publik në historinë e këtij vendi me segmentin më të rëndësishëm e jetik sot të Korridorit Blu nga Miloti në Fier dhe do ta kthejmë nga një segment qesharak aksidentesh tragjike në një korridor europian. Patjetër do ta hapim menjëherë edhe Milot-Muriqan dhe aeroportin e Kukësit”, tha Rama. Ai siguroi po ashtu se “do të vazhdojmë të insistojmë me gjithë këto halle e probleme që ka shkaktuar COVID për të finalizuar garën për aeroportin e Vlorës”.

“Do të hapim edhe aeroportin e Sarandës dhe do të vazhdojmë të çojmë deri në fund 55 kantiere të ujit në gjithë Shqipërinë në gjithë zonat urbane, një gangrenë me dekada të tëra”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “nëse ti ndalon punën, investimin dhe aktivitetin për sot, nesër jo vetëm që të vdesin rrugëve njerëzit, po familje të tëra të panumërta vdesin nga papunësia totale”.