Fenomeni i popit, shqiptarja Ava Max debuton me albumin e saj të parë, i cili ka ne qendër të vet dyzimin e qenies njerëzore dhe sfidat që duhet të përballojmë gjatë jetës. Albumi me titull “Heaven & Hell” vjen pas suksesit planetar me 2 miliard shfaqje të hitit “Sweet but psycho”. Kënga e fundit “Who’s Laughing Now”, ka mbi 31 milionë shikues në YouTube dhe 30 milionë në streaming, vetëm pak javë pas publikimit. Nëse do t`I hidhnim këngëtares një vështrim më kompleks, do të shihnim se ambiguiteti është ai që karakterizon personazhin e Ava Max, një nga më të ndjekurat e momentit.
E drejtpërdrejtë, por misterioze, e ashpër, e megjithatë e ndjeshme, për Avën albumi përfaqëson dritën, errësirën, të mirën dhe të keqen. “Ai flet për dyzimin e qenies njerëzore dhe sfidat me të cilat i duhet të përballet çdo ditë. Disa nga këngët përfaqësojnë anën time të errët, të tjerat janë shumë pozitive”, shprehet këngëtarja. Në album është përfshirë dhe kënga e cila e bëri Aven shumë të famshme “Sweet but Pscyco”, fituese e tre disqeve te platinit, e cila qëndroi për 3 javë në krye të klasifikimit Top 10 Bilboard Hot 100. Ava është e bija e dy emigrantëve shqiptare, dhe që e vogël shfaqi talent muzikor të cilin e ka trashëguar nga e ëma, një këngëtare lirike.