Universitetet pritet të hapin dyert për të pritur studentët nga 2 nëntori, ndërkohë që dhe konviktet janë duke u përgatitur me qëllim përmbushjen me rigorozitet të masave dhe protokollit antiCOVID.

Në lidhje me ndryshimet që kanë pësuar rezidencat studentore dhe masat që kanë marrë në lidhje me situatën e pandemisë, drejtoresha e Rezidencës Studentore Universitare Nr.2, Zhanina Dapi është shprehur së këto mjedise janë gati për të pritur studentët, duke përmbushur me përpikmëri protokollin e caktuar nga Ministria e Shëndetësisë, duke krijuar mundësi dhe komoditet për studentët, por mbi të gjitha pa i cenuar apo rënduar xhepat e tyre.

Referuar situatës në të cilën ndodhemi, drejtoresha e RSU2 u shpreh në një intervistë televizive se, “pas njoftimeve zyrtare të bëra në dhe ne si rezidencë studentore kemi marrë masa me qëllim krijimin e ambienteve sa më komode për studentët, me qëllim ofrimin e një qëndrese sa më të sigurt për ta.

“Referuar dhe protokolleve të caktuara kemi riparë qëndrimin e studentëve nëpër dhoma duke u mundur të krijojmë dhe hapësirat e duhura për studentët, duke reduktuar numrin e tyre, nga tre studentë në dhomë duke i lënë në dy dhe nga katër në tre”, u shpreh Dapi.

Ndërkohë e pyetur prej gazetares në lidhje me tarifën e akomodimit, a është e njëjta me një vit me parë apo ka ndikuar pandemia në lidhje me ndryshimin e çmimit, ajo është shprehur:

“U munduam që ta përballojmë problemin financiar me veten tonë dhe mos të ndikonim tek studentët. Çmimet e akomodimit vazhdojnë të qëndrojnë të njëjta, të përllogaritura që studenti ta ketë mundësinë ta përballojë ekonomikisht këtë tarifë. Jemi munduar të japim lehtësira për studentët të cilët janë me asistencë sociale duke iu ofruar mundësi të ndryshme në lidhje me pagesën”, tha Dapi.

Gjithashtu drejtoresha e rezidencës studentore ka bërë dhe një apel në lidhje me zbatimin rigorozisht të masave antiCovid të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

“I mirëpresim studentët sikur të jenë në shtëpinë e tyre duke e menduar si një shtëpi të dytë, të përqasin rregulloren e përcaktuar duke qenë dhe korrekt me masat të cilat tashmë dihen se kush janë. Me kushtet që ne kemi krijuar nuk besoj se do kemi probleme në vazhdimësi përgjatë qëndrimit të tyre”, theksoi Dapi.