Korça qyteti me infrastrukturën më moderne në Shqipëri, do të jetë qyteti i parë që do të sigurojë një zgjidhje të ngrohjes së popullatës sipas standardeve bashkëkohore dhe miqësore me mjedisin.

Bashkia Korçë në bashkëpunim me institucionet e linjës kanë ndërmarrë një studimi fizibiliteti lidhur me mundësinë e krijimit të një sistemi ngrohje të Korçës, përmes energjisë së rinovueshme, duke përjashtuar lëndën drusore.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet se “pas furnizimit me ujë 24 orë për banorët, rinovimit total të rrjetit të kanalizimeve dhe trajtimit me një impiant modern të ujërave të përdorura, në një video-konferencë me përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH ) në Londër dhe Tiranë, me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë filluam projektin, i cili do të realizojë fillimisht studimin e fizibilitetit për ngrohjen e qytetit të Korçës duke përdorur burime të rinovueshme dhe pastaj edhe financimin për zbatimin e tij”.

Qyteti i Korçës ndodhet në lindje të territorit të Shqipërisë dhe i përket zonës C (zona e ftohtë), sipas përcaktimit dhe ndarjes së territorit në 3 zona.

Para viteve ’90, ngrohja në qytetin e Korçës realizohej në një pjesë të qytetin me ngrohje qendrore me kalorifer duke shfrytëzuar nxehtësinë termike të prodhuar nga TEC-i i qytetit, dhe pjesa tjetër e qytetit ngrohej me dru dhe qymyr, një mënyrë kjo që përdorej nga të gjithë konsumatorët familjar në Shqipëri.

Pas viteve ’90 me daljen jashtë funksionit të aktivitetit të industrisë duke përfshirë këtu edhe HEC-in që mbështeste këtë industri, ngrohja e banesave fillimisht realizohej me dru dhe më vonë filloi përdorimi i kondicionerëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike të marrë nga rrjeti qendror.