Që nga viti 2017, Barcelona po vuan për të gjetur zëvendësuesin ideal të Neymarit dhe njeriun me të cilin do të përshtatej Lionel Messi. Nga ajo kohë, Barça ka shpenzuar miliona e miliona por një treshe si MSN ende nuk është krijuar. Madje, ajo është ‘shpartalluar’ e gjitha, me largimin e Luis Suarez drejt Atletico Madrid. Barcelona është në krizë të madhe financiare. Klubi e ka konfirmuar tashmë një gjë të tillë, që sipas tyre, vjen edhe si pasojë e pandemisë, COVID-19.

Por, jo vetëm kaq, kriza financiari e tyre është thelluar edhe si pasojë e shpenzimeve marramendëse ndër vite, sidomos që nga viti 2017. Kriza në Barcelonë nisi të dali në shesh që nga largimi i Neymar Junior në vitin 2017, që u transferua te Paris Saint Germain për 222 milionë euro. Nga ajo kohë, Barça është munduar të ndërtojë ekipin pa Neymar, duke shpenzuar shuma të mëdha me blerjet: Ousmane Dembele 145 milionë euro, Philippe Coutinho 160 milionë euro dhe Antoine Griezmann 120 milionë euro.

Të gjithë nuk i përmbushën pritshmërit te Barcelona, madje Coutinho për një sezon u huazua te Bayern Munich dhe vetë tani është rikthyer sërish në skuadër. Kështu, vit pas viti kriza e Barçës u thellua. Gjatë vitit 2019/2020 Barcelona ka humbje financiare 97 milionë euro, ndërsa borxhet e klubit janë thelluar që nga qershori i vitit 2019 nga 217 milionë euro deri në qershor të këtij viti në 488 milionë euro. Mediat në Spanjë raportojnë se borxhi total i klubit katalunas ka shkuar në 820 milionë euro.

Pas problemeve me borxhe, klubi ka edhe një problem tjetër ku është duke u zhvilluar mocioni i rrëzimit të Presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeu. Gjithçka nisi pas asaj që ndodhi9 me Lionel Messi, që kërkoi largimin përmes një ‘burofaxi’ në gushtin që lamë pas. Bartomeu mund të obligohet që të jap dorëheqje në rast të suksesit të mocionit, deri në ditët e sotme janë regjistruar gjithsej 13.574 vota të ligjshme ku nevojiten edhe tre mijë vota për të kaluar mocioni. Sido që të jetë, duke mos menduar për problemet e brendshme në klub, trajneri i ri, Ronald Koeman, po synon që brenda mundësive ekonomike që ka klubi, të ndërtojë një ekip për të ardhmen.

Më në fund, te Barça shpresojnë që hapësira e lënë bosh nga Neymar në vitin 2017, po mbulohet me prezencën e talentit të ri, Ansu Fati derisa për ta blinduar edhe më shumë atë pozitë që çalon që nga ajo kohë, Koeman po tenton që ta blejë edhe Memphis Depayn nga Lyoni, dikur futbollist i Manchester United. Ideja e Koeman është që dikur MSN-në e famshme ta zëvendësojë me treshe të re, Messi, Griezmann dhe Depay, pa lënë anash Fatin, edhe pse klubi do të tentojë ta ruajë nga presioni për shkak të moshës së futbollistit.

E vërteta është se Koeman ka një punë të vështirë para vetes, sidomos kur e di se Lionel Messi mund të jetë duke luajtur sezonin e fundit me fanellën e Barçës. Detyra e tij është të krijojë një Barcelonë pa Messin, një Barcelonë që ka qenë larg Barçës së dikurshme me lojtarë si Andres Iniesta, Xavi Hernandez, Luis Suarez, Neymar etj.