Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, njoftoi se është futur në karantinë të detyrueshme, pasi ka pasur kontakte me një person që ka dalë pozitiv në testin për koronavirus. Në një video-mesazh të postuar në mediat sociale të martën, Morawiecki tha se ka pasur kontakt me personin e infektuar të premten. Qeveria vazhdon të funksionojë normalisht dhe mbledhja e ardhshme e saj do të mbahet përmes video-konferencës – një prakikë kjo e zakonshme në muajt e fundit, tha Morawiecki.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve polakë që t’i respektojnë masat për luftimin e koronavirusit, duke i dezinfektuar duart, duke mbajtur distancën sociale dhe duke veshur maska. Zëdhënësi i Qeverisë polake, Piotr Mueller, tha përmes një deklarate se kryeministri Morawiecki nuk është diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, dhe se nuk ka simptoma të saj.
Karantina e detyrueshme në Poloni zgjat 10 ditë për ata që nuk shfaqin simptoma të sëmundjes COVID-19. Polonia ka regjistruar rritje të mprehtë të numrit të rasteve pozitive me koronavirus, në javët e fundit. Të martën u raportuan mbi 5,000 raste të reja, të cilat e çojnë në mbi 135,000 numrin e përgjithshëm të tyre në këtë vend. Mbi 3,100 vetë kanë vd ekur në Poloni nga COVID-19, prejse ka nisur pandemia globale në muajin mars.