Marash Kumbulla vjen në Kombëtare pas një një momenti fantastik në karrierën e tij. 20-vjeçari vetëm pak kohë më parë u transferua te Roma, ku u shndërrua menjëherë titullar i mbrojtjes. Në konferencën për shtyp të Kombëtares, Kumbulla u shpreh:
“Jam shumë i kënaqur, sepse shkova në një klub historik. Rëndësi ka që të luajë në vazhdimësi me Romën dhe pastaj të vij në Kombëtare. Rëndësi ka që Kombëtarja të luajë mirë dhe të fitojë, për aktivizimin tim vendos trajneri.”
Lideri i ri i mbrojtjes kuqezi? “Nuk e di nëse jam lojtar titullar, sepse zgjedhjet i bën trajneri. Shpresoj të luaj dhe të ndihmoj ekipin, por siç e thashë më parë, rëndësi ka që Kombëtarja të fitojë, me apo pa mua. Unë jam mbrojtësi më i ri në Kombëtare dhe nuk jam unë që duhet të bëj liderin, është Berati e lojtarë të tjerë që e bëjnë liderin.”
Ndërrimi i fanellave me Chiellinin: E ndërrova bluzën me Chiellinin, sepse është idhull im. Më tha “bravo” për zgjedhjen që bëra, pra që firmosa me Romën. Këshillat e Rejas: “Asgjë specifikisht, por si për gjithë të tjerët kërkon që të luaj në vazhdimësi tek ekipi im dhe të respektoj rregullat.”
Ndeshjet me Kazakistanin dhe Lituaninë: Sigurisht që lojtarët veteranë marrin përgjegjësitë, por edhe ne, lojtarët e rinj, besoj se kemi karakter për t’i përballuar këto ndeshje. Mendojmë gjithmonë për të fituar. Në fillim të mendojmë për Kazakistanit, të luajmë mirë dhe ta fitojmë. Trajneri na flet për këtë ndeshje, pastaj për Lituaninë.