Nga Artur Ajazi/

Partia Demokratike, ka 30 vjet që është kthyer në një grupim folkloriko-politik me përbërje të çuditshme brënda saj. Në atë parti gjenden bij komunistësh, nipër ballistësh, djem gjyqtarësh dhe prokurorësh të kohës së diktaturës, ish-komunistë fanatikë që drejtojnë atë forcë politike, dhe tek-tuk ndonjë ish-legalist dhe ish-i përndjekur.

Mendoje tani, çfarë konglomerati ka brënda një partie, që fatkeqësisht ka marrë dy herë pushtetin në Shqipëri, që ka mëkate të shumta ndaj vendit dhe shqiptarëve, që ka brënda saj të akuzuar dhe të denoncuar për vjedhjen e fondeve publike, që ka brënda saj abuzues dhe mashtrues, dhe që sillet sikur është “qelibare”. Kryetari i saj, njeriu që mbart mbi shpinë akuza ende të parehabilituara nga drejtësia, prej 1 jave, nuk lë ditë pa dërguar sejmenët e tij në SPAK (edhe pse e ka penguar ngritjen e kësaj strukture të drejtësisë re), nuk lë ditë pa dalë dhe pa baltosur punën dhe projektet e investimeve në gjithë vendin, nuk lë ditë pa u marrë me “gozhdën” e Nastradinit, inceneratorët e plehrave. Kur të kallëzojnë të kallëzuarit, në fakt është luks.

Për Edi Ramën, nuk ka shans më të madh se sa, të akuzohet nga një ish-ministër i akuzuar dhe denoncuar për Rrugën e Kombit, për 21 Janarin, për shkatërrimin e Tiranës sa ishte aksidentalisht kryetar bashkie i saj, etj, etj. Kur të kallëzojnë të kallëzuarit, kur të akuzojnë të akuzuarit, dhe kur të baltosin të baltosurit, është fat i madh. Kjo pasi shqiptarët e kanë parë dhe dëgjuar me sy dhe veshë, njeriun që dogji institucionet e vendit me molotovë, njeriun që fshihej pas “raportit” kur thirrej në gjyqe, se si del sot dhe ngre zërin kur “akuzon” dhe lexon denoncime të shpëlara për ministrat dhe kryeministrin Rama. Rruga e vetme për të qenë jo vetëm transparent, por dhe serioz para popullit, mbetet rruga drejt organeve të drejtësisë, pasi atje ligji ndaj “shapin nga sheqeri”, duke fajësuar mbi fakte fajtorët, dhe jo duke mbledhur çdo ditë mediet në zyrat e partisë, për të mbushur faqet me llogje fushate. Kur të kallëzojnë të kallëzuarit, është trashësi mendore dhe lajthitje logjike e tyre, e një njeriu që nuk ka më ç’të humbasë, duke shpresuar në “mrekulli hyjnore”.

Një kryetar partie që e ka varur fatin e tij politik në seriale mashtrimesh, një kryetar partie që arrin merret seriozisht me “babalet” dhe angazhon gjithë taborrin e tij për ta bërë të besueshme deklaratën e një mashtruesi, një kryetar partie që shpreson se do të “fitojë pushtetin” duke numëruar paditë penale ndaj kryeministrit të vendit, ai nuk është më politikan, por thjesht njeri tranzitor. Me presione dhe kërcënime, me ultimatume dhe fjalor vulgar, të kallëzuarit e ish-opozitës, po mundohen të fitojnë kohë apo dhe vota shqiptarësh. Duke bërë llogaritë gabim, duke ndjerë humbjen e madhe, dhe duke menduar se Edi Rama, do të largohet nga pushteti me pazare dhe presione fushate, ata kanë rritur ndjeshëm gamën e idiotësive, duke u bërë më shumë se qesharakë.