Thirrja e Presidentit Ilir Meta vetëm pak orë përpara Asamblesë së PS duket se nuk e ka shqetësuar deputeten Lindita Nikolla. Në një intervistë për Report Tv shprehet se Ilir Meta e braktisi Partinë Socialiste në një kohë kur ajo përbëhej nga socialistë të vërtetë, siç i quante Presidenti, dhe krijoi një parti të re kundërshtare. Ajo thotë se nuk i takon Presidentit që të ndërhyjë në këto çështje dhe se kërkohet të bëhet zë opozitar në vend që të jetë asnjëanës.

“Ka dalë Presidenti jashtë kostumit të vetë institucional pavarësisht se thotë se mbron demokracinë. Përsa i përket thirrjes që ka bërë për asamblenë dhe socialistët e vërtetë ndërkohë unë jam një socialiste e vërtetë. Në 2005 unë mbaj mend kur ishte Ilir Meta dhe pashë atë kohë se si ishte PS, me ato që ai i quajti socialistë të vërtetë dhe që diskriminoi ‘Rilindjen’. Ai u largua nga ajo dhe krijoi një parti kundërshtare, LSI. Ne jemi në partinë që u krijua në vitin 1991 dhe do të qëndrojmë deri në fund. I gjykoj të pavenda thirrjet për të përçarë PS-në. Qëllimi i tij është të bëhet një zë i fortë i opozitës siç ka qenë gjithë këtë kohë. Qëllimi që lexohet është toni përçarës dhe futja e hundëve aty ku nuk i takon. Meta, në sy të socialistëve lexohet vetëm dëmi që i ka bërë PS-së. Ka zgjedhur të godasë pikën më të fortë, Edi Ramën me dëshirën për të bërë të mundur që opozita të fitojë zgjedhjet.” – tha Nikolla. Për Nikollën, reagimet e Presidentit i zbresin pikë politike atij dhe institucionit që ai drejton.

“E gjithë kjo retorikë zvogëlon dimesionin e tij politik por edhe atë që duhet të jetë institucioni i Presidencës. Më vjen shumë keq që Presidenti i vendit tim të jetë një figurë politike ku lexohet qëllimi i tij. Ka një dëshirë të fusë hundët në një parti politike duke nxitur gjuhën e urrejtjes” – tha Nikolla. Ndërkohë deputetja foli dhe për Asamblenë e PS-së e cila do të mblidhet pasditen sotem ku tha se ndryshimet brenda strukturave është krejtësisht normale nëse ata nuk kanë në nivelin e duhur.

“Është një situatë normale. Unë nuk di që në ndonjë asamble kur zgjidhen kryesia të mos ketë pasur ndryshime. Pa dashur të paragjykojë, ndryshimi është një procedurë normale. Unë nuk di të ketë të pakënaqur në skuadrën aktuale të kryesisë së PS-së. E rëndësishme është gjetja e një sinergjie për të fituar një mandat të tretë. PS është forca e parë në këtë vend dhe besoj që në atë që përfaqëson ky formacion politik. Frika është përballja me pritshmëritë e qytetarëve, për të përmbushur atë besimin e qytetarëve. Të mundësojmë komunikimin me çdo familje. Është shumë normale që njerëzit të ndryshojnë rrugës nëse shihen si persona që nuk formojnë sinergji. Unë jam shumë e hapur në këtë drejtim. Mirëpres çdo vendim nga Asambleja” tha Nikolla. Gjithashtu ajo shprehu se do të vijojë kandidimin si deputete në Lezhë, por nuk e mohoi dhe faktin që mund të jetë në listën e të larguarve që do të vendosë asambleja.

“Nuk do ta lë Lezhën. Nuk do ta tradhëtoj për të përfaqësuar besimin që komuniteti na dha më 2017. Do të përpiqem me gjithë forcat e mia, me kontakte të drejtëpërdrejta për të dëgjuar dhe për të zgjidhur shqetësimet e qytetarëve. Unë do jem e gatshme ta lë nëse do të vendoset një gjë e tillë. Ne hyjmë në këtë fushatë me objektiva të qarta. Hap pas hapi do të bëjmë komentet publike për mandate. Në të fundit kemi qenë 4 mijë vota para. Ne do të vendosim qëllime reale dhe të realizueshme. Lezha është një qark ku ka probleme me varfërinë, infrastrukturën, dhe fakti që nuk duhet të largohemi nga e vërteta. Sot kemi një situatë të re përsa i përket investimeve në 3 bashkitë siç janë furnizimi me ujë të pijshëm, rindërtimi. Investimet duhen bërë aty ku duhen. Ajo që urrej është folja me një lloj retorike apo mendjemadhësie. Duhet të jemi shumë më të qartë dhe më të kuptueshëm me njerëzit. Përpara dy ditësh kisha një mesazh nga një qytetar i Kurbinit ku ndërtesa e tij ishte shkatërruar. Ai jetonte në çadër. Shkova dhe pashë që jetonte në kushte shumë të vështira. Kaluam një kohë aty. Kthimi i mesazhit nuk do ishte e mjaftueshme dhe as vizita ime nuk është e mjaftueshme. Unë çdo ditë mendoj që kur ajo të hyjë në banesën e saj të re që do të ndërtohet shumë shpejt” – tha Nikolla.