Nga Ylli Pata

Baza e Partisë Demokratike për kryeqytetin ka shoshitur 140 emra si kandidatë të mundshëm për deputetë në Qarkun e Tiranës, i cili ka 36 vende për të garuar zyrtarisht. Logjikisht në listën zyrtare do të shtohen edhe emrat që vendos kryesia e madhe, ku përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, apo aleatëve, do të ketë edhe emra të tjerë që do të caktohen nga “shoqëria civile”. Përveç 14 emrave që vijnë nga “kadastra” politike e PD-së, që janë ish-ministra dhe ish-deputetë, të tjerët janë përgjithësisht kandidime të para, ku spikasin edhe kryetarë të bashkive me një bilanc në elektorat me nga dy mandate, si Fiqiri Ismaili i Vorës dhe Xhelal Mziu i Kamzës.

Pjesa tjetër e listës janë ose të rinj nga FRPD-ja, ose prurje të dala nga rezistenca opozitare në protesta të ndryshme, si Robert Budina, drejtues i Aleancës për Teatrin, ose emra që vijnë nga dy fusha specifike: Policia dhe futbolli. Në listën e Tiranës, Partia Demokratike ka dy oficerë të lartë Policie në qeverisjen e Sali Berishës, ish-drejtorin e Policisë, Ahmet Prençin dhe ish-numrin dy të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani.

Prençi, pas një eksperience të shkurtër në drejtimin e tatimeve në qeverisjen e Edi Ramës, u kthye si opozitar dhe nuk u mor me aktivitetin në polici. Madje në këtë kohë ai ka shkruar edhe disa libra në poezi dhe romane. Kurse Breçani, përveç aktivitetit privat, ka qenë i pranishëm në shumë emisione televizive ku është folur për çështjet e rendit publik.

Në listë janë vendosur edhe futbollistët Andi Lila, ish-lojtar i kombëtares, por edhe kampioni i Tiranës, Gentian Muça, që jeton në Prishtinë tani, si dhe atletja Klodiana Shala, e cila ka qenë edhe në të shkuarën në listën e PD-së. Arben Ristani dhe Agron Shehaj janë sjellë nga Vlora në Tiranë, pasi krijuan një profil politik në qarkun e jugut, por siç duket Basha synon që sidomos me Shehajn, i cili ka krijuar një profil qytetar dhe të një biznesmeni serioz, të tërheqë elektoratin grin në kryeqytet.

Megjithatë, duket se përveç emrave të njohur politikë që vijnë nga universitetet e shtresat intelektuale, mungojnë ardhjet nga kjo shtresë në qarkun ku është më e rëndësishme oferta politike e nivelit të lartë. Sipas asaj që shikohet në listën e gjatë të emrave të sjellë nga baza, logjika për të synuar “elektoratin gri” të paangazhuar, duket është tentuar me emra futbollistësh të njohur si Lila e Muça, të cilët edhe pse mjaft popullor, mund të jenë boomerang politik në një elektorat kapriçoz si Tirana, i cili sigurisht që nuk e mat përfaqësimin politik në Kuvend me popullaritetin e një lojtari futbolli.

Qoftë duke ardhur edhe me emra aktorësh si Julian Deda, i cili dihet hapur që është një mbështetës i zjarrtë i PD-së, dhe për këtë ka pasur edhe kritika nga pjesa tjetër e audiencës që e ndjek. Gjithsesi, analiza më e qartë do të bëhet kur të dalë lista zyrtare e 36 kandidatëve të PD-së, ose të koalicionit, nëse do të vijohet siç e ka dhe ligji aktual me listë të përbashkët.

Megjithatë dilema e ofertës politike të opozitës në kryeqytet pas 8 vjetëve opozitës është prezenca e kryepolicëve në listat për deputet. Kujt elektorati i ofrohet kjo logjikë? Në të shkuarën, edhe PD edhe PS kanë pasur policë e ushtarakë në listat për deputetë, madje janë bërë edhe parlamentarë si Paulin Sterkaj, Piro Lutaj etj, por asnjëherë nuk kanë qenë në kryeqytet.