Partia Demokratike është në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të saj në të gjithë Qarqet e vendit. Një ditë më parë, mediat publikuan prova se midis shtatë emrave të përzgjedhur në Dibër figuron edhe emri i një kandiati të akuzuar nga vetë ambasada amerikane për korrupsion, dy persona me precedentë, ish-kryetari me profesion mjek i rrethit që kërkonte qytetarëve të betoheshin mbi Kuran për votën e PD dhe një kandidat tjetër, i cili drejton një shoqatë islamike me fonde të paregjistruara në Dibër. Procesi i përzgjedhjes ka përfunduar edhe në Kukës, ku midis të tjerëve spikasin dy emra.

I pari, ai i ish-deputetit Ibrahim Bruka, djali i të cilit, në vitin 2017 u bë protagonist, edhe pse si viktimë, e një historie të pazakontë. Tre vjet më parë, mediat raportuan: “Një grup prej 5 anëtarësh u dënuan pasi u akuzuan se i kanë zhvatur një total prej 26 mijë eurosh të birit të kirurgut Ibrahim Bruka, ish-deputet i PD, pasi e kërcënonin me publikimin e një fotoje ku i mituri tymoste një cigare kanabis”.

Edhe pse i biri i zotit Bruka ishte viktimë në këtë histori, mbeten dy fakte që rëndojnë mbi familjen e ish-deputetit. Pagesa 26 mijë euro nga djali minoren dhe fotoja me hashash. Pak ditë më parë, kirurgu u bë përsëri protagonist në media, kur u shpreh se Kryeministri dhe Ministrja e Shëndetësisë refuzuan t’i takonin në takimin e kërkuar prej tyre në Kryeministri, teksa fotot treguan të kundërtën dhe dëshmuan prezencën e tij në takim.

I dyti kandidat, një emër i mirënjohur në sportin shqiptar, ish-mundësi Sahit Prizreni, flamurmbajtësi i Shqipërisë në Lojrat Olimpike të Pekin 2008. Megjithatë, në Olimpidën e Rios, Prizreni konkurroi me ngjyrat e Australisë, një ndërrim flamuri që i siguroi Prizrenit më shumë të ardhura se sa konkurrimi me Shqipërinë.

Në atë kohë, për ndërrimin e flamurit, mundësi bëri përgjegjës Presidentin e KOKSH, Viron Bezhani, njëkohësisht një anëtar i kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga 2008 deri në 2013, kur Prizreni zgjodhi të largohej disa muaj pas zgjedhjeve, përgjegjës për zgjidhjen e kërkesave ekonomike të mundësit ishte qeveria e djathtë, forcë politike për të cilën ai tashmë ka vendosur të konkurrojë.

Pas përfundimit të karrierës në vendin e kangurëve, Prizreni vendosi të kthehej përsëri në Shqipëri, për t’iu përkushtuar mundjes si trajner i Tiranës dhe Kukësit. Bie në sy se në një interviste të dhënë, Prizreni pranon se njeriu që e riktheu në Kukës ishte ish-kryetari i Qarkut, Ibsen Elezi, për të cilin shpreh respektin maksimal.

Ndërsa zoti Elezi, nga ana e tij shprehet në media se: “”Përgjegjësit kryesorë janë shumë që po shkatërrojnë PD, përfshirë edhe zotin Berisha i cili po sheh se çfarë ndodh në PD dhe nuk merret me asnjë element thelbësor nuk di sa kohë. Pastaj del e thotë se Basha mund të jetë kryeministër është përgjegjës direkt duke shtrembëruar realitetin, duke shtrembëruar realitetin ka futur në qorrsokak të gjithë demokratët pasi ka njerëz që e besojnë”.