Një listë kompromisesh mund të quhet lista e Lulzim Bashës për qarkun e Tiranës, ku përfshihen në të ish-kryetarë Bashkish si Fiqiri Ismali dhe Xhelal Mziu që u detyruan të lënë garën për Vorën dhe Kamzën pas vendimit të PD për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale, ish-funksionarë në kohën e Sali Berishës si Erzen Breçani, Alfred Rushaj apo edhe Arben Ristani ish-sekretar i Përgjithshëm i selisë blu.

Në listën e kandidatëve për deputetë futet për herë të parë edhe regjizori Robert Budina i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, i cili deri një muaj më parë mohonte çdo zë se do të përfshihej në parti politike, për të shkuar më pas edhe tek futja për herë të parë e një emri futbollisti; Andi Lila apo edhe aktorit, Julian Deda. Ndërkohë, janë zhvendosur në Tiranë Agron Shehaj që garonte në Vlorë në zgjedhjet e 2017-ës, Flamur Noka nga Kukësi po në Tiranë, Genc Pollo gjithashtu zhvendoset nga Fieri, ndërsa vijojnë në garë në të njëjtën listë si në 2017-ën, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Grida Duma, Oriola Pampuri, Enno Bozdo, Gent Strazimiri dhe Halim Kosova.

Në listën për Tiranën mungon emri i Lulzim Bashës, Sali Berishës apo Bujar Nishanit. Emri i Sali Berishës nuk do të kalojë në votim, ai do të përfshihet tek kuota e 20 % të listës së kandidatëve që do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si personalitet politik me kontribut të gjatë në parti…Ashtu siç kalon automatikisht edhe emri i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Në këtë 20% parashikohet të futen edhe emra të tjerë nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes.