LSI thotë se Bashkimi Europian nuk do të hapë negociatat me Shqipërinë dhe se e vetmja kërkesë që Edi Rama mund t’i adresojë është ajo e azilit.“Edi Rama në Europë mund të kërkojë azil se negociata nuk i jep njeri. Kryeministri vetëm sa ka harxhuar paratë e taksapaguesve për të paguar rrugën dhe kostot e qëndrimit bashkë me stafin e tij në Mynih: Të gjithë e dijmë qartë se BE nuk negocion me një vend pa gjykata, me SPAK të fjetur dhe qeveri që shkel marrëveshjet duke dhunuar Kushtetutën”, deklaroi ish-deputetja Floida Kërpaçi.
Kërpaçi thotë se BE nuk do të caktojë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare pasi kushtet e vendosura në mars nga Këshilli Europian në vendimin për hapjen e negociatave nuk janë plotësuar. Ajo citon mungesën e gjykatave, mungesën e hetimeve antikorrupsion nga SPAK ndaj zyrtarëve të lartë dhe shkeljen e 5 qershorit.
“Nuk ka negociata me BE-në pa plotësuar kushtet e ngurtësuara në rezolutën e Parlamentit Europian. BE pret funksionalitetin e plotë të gjykatave, pret SPAK-un të dënojë korrupsionin e Ministrave dhe zyrtarëve bashkëpunëtorë të ER, zbatimin rigoroz të 5 qershorit për zgjedhjet, dhe lista e detyrave vazhdon”, shprehet Kërpaçi.
Ish-deputetja e LSI-së mbyll reagimin duke thënë se “deri në plotësimin e kushteve, Edi Rama mund t’i shtohet listës së azilkërkuesve, se për negociata vështirë t’i japë kush”.